Klinton: Serbia ka ende sfida drejt partneritetit me komunitetin euro-atlantik

  • Zëri Amerikës

Klinton: Serbia ka ende sfida drejt partneritetit me komunitetin euro-atlantik

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton përgëzoi Serbinë për përparimin drejt integrimit evropian, por tha se Beogradi ende përballet me sfida në rrugën drejt një partneriteti më të madh me komunitetin euro-atlantik.

Zonja Klinton i bëri komentet sot në Beograd përkrah presidentit serb Boris Tadiç.

Ajo tha se për t’u integruar në Bashkimin Evropian nevojitet udhëheqja serbe përballë sfidave të vështira, duke përfshirë marrëdhëniet e Beogradit me Kosovën.

Zonja Klinton shtoi se perëndimi e mirëpret bashkëpunimin e Serbisë për arrestimin e të arratisurve të luftës.

Zonja Klinton arriti në Beograd sot nga Bosnje Hercegovina ku u bëri thirrje udhëheqësve boshnjakë të reformojnë sistemin kompleks politik të vendit, ndryshe do të rrezikojnë të mbeten pas, ndërkohë që vendet e tjera të Ballkanit integrohen me Evropën perëndimore.

Duke folur në Sarajevë, zonja Klinton tha se fqinjët e Bosnjës kanë bërë hapa domethënës në integrimin evropian, sepse e dinë se nuk ka mënyrë më të mirë për të arritur një rritje ekonomike të qëndrueshme.