Shqipëri: Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mes kritikash dhe debatesh

Në Shqipëri, proçesi i rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e reformës në drejtësi ka marrë shumë vëmendje në opinionin publik për shkak se ai po shoqërohet me largime në masë të përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Kjo ka sjellë kolaps të dy gjykatave asaj kushtetuese dhe të lartë, dhe për pasojë debati politik dhe ai në rradhët e drejtësisë po zhvillohet me tone të larta. Kritikët e Vettingut shohin tek ai një proces agresiv, në disa raste me standarte të dyfishta dhe të ndikuar politikisht nga shumica qeverisëse. Shefja e operacionit ndërkombëtar të ONM, Genoveva Ruiz Calavera, në një intervistë të posaçme me shkrim për Zërin e Amerikës, i hodhi poshtë këto pretendime duke i cilësuar ato si sinjale se Vetting po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Ajo mohoi që ky proçes të jetë nën ndikime politike, dhe nënvizoi nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, procesi i rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve

Rivleresimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e reformës në drejtësi, ka larguar nga detyra 74 prokurorë dhe gjyqtarë ndërsa 39 kanë dhënë dorëheqje. Në total 113 prokurorë dhe gjyqtarë i mungojnë sistemit dhe për rrjedhojë dy gjykatat ajo kushtetuese dhe e lartë s’mund të marrin vendime për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Vetting-u monitorohet nga Operacioni ndërkombëtar i monitorimit. Gati tre vite nga miratimi, ai ka marrë mjaft vëmendje jo vetëm si produkti i parë i reformës në drejtësi por edhe si test për ecurinë e saj. Shefja e ONM, Genoveva Ruiz Calavera në përgjigjet me shkrim i tha Zërit të Amerikës, se ky proçes synon kthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

“Procesi i rivlerësimit (i njohur si vetingu) u fillua me objektivin kushtetues të rikthimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, duke pastruar radhët e sistemit të drejtësisë nga zyrtarët e korruptuar. Seancat dëgjimore janë publike dhe institucionet e mbajnë publikun të informuar për arsyetimin e vendimeve të vetingut. Numri i madh i magjistratëve që japin dorëheqjen ose janë duke u larguar nga puna konfirmon se ky është një proces serioz për rinovimin e gjyqësorit”- pohon shefja e ONM, Genoveva Ruiz Calavera.

“Ne jemi mësuar jemi mesuar që opinioni publik është bombarduar me reformën të barazuar me proçesin e Vetting. Në fakt Vetting në vetvete nuk është reforma Vetting është një nga aspektet që do të nxjerë jashtë sistemit ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë abuzuar me funksionin e tyre”- shprehet Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Komiteti shqiptar Helsinkit që ka monitoruar që prej fillimit procesin vëren se në përgjithësi ai ka qenë pozitiv, përsa i takon aspektit të së drejtës për një proçes të rregullt ligjor.

“ Ne kemi parë që shumë qytetarë kanë qenë aktivë dhe paraqitur denoncimet e tyre.Madje ka patur gjyqtarë dhe prokurorë, që janë rivlerësuar dhe për të cilët ka patur një numër të konsiderueshëm ankesash”- thotë Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Që prej fillimit të proçesit të Vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët janë bërë afro 4 mijë e 200 denoncime nga qytetarët. Ato merren në shqyrtim nga organet e Vetting dhe nëse ka prova dhe fakte bindëse për prokurorët dhe gjyqtarët e denoncuar këto ndikojnë në marrjen e vendimeve për ta, gjatë rivlerësimit, i cili bazohet në kriterin e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe kriterin profesional.

“Mënyra se si po zhvillohet proçesi i verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, më duket më agresiv se ai që duhet të jetë në fakt”-thotë Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

“Kritikat tona kryesore kanë qenë në drejtim të konsolidimit të jurisprudencës të organeve të Vettingut dhe në mënyrë të veçantë, në pjesën e zbatimit të proporcionalitetit. Vetting-u nuk mud të jetë radikal dhe nuk mund të penalizojë këdo, por vetëm ata me probleme serioze”- argumenton Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“Ne nuk kemi qenë kundër reformës. Ne e shpëtuam reformën. Ata që vlerësojnë reformën vetëm nga vetting-u që ka dy anë të padiskutueshme. Ka anën që nxjerr nga sistemi njerëz. Dhe anën që bën gjahun e shtrigave për llogari të qeverisë në mënyrë të padiskutueshme. Por ka një gjë themelore. Ky Vetting që bëhet thyen parimet universale, thyen parimet e mishëruara në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut”- shprehet Sali Berisha- ish-kryeministër.

“Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”- pohon Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Nuk e lamë ne vendin pa gjykatë kushtetuese. Dhe në mënyrë absolute kjo ka qenë e qëllimshme. Se nëqoftëse vendi sot është pa Gjykatë Kushtetuese, ishte kjo që na ndau ne nga reforma pasi votuam ndryshimet kushtetuese. Ne ishim për një Vetting që shkonte nga poshtë lart dhe nuk krijonte vakum në sistem”- pohon Sali Berisha- ish-kryeministër.

“Duhet një rivlerësim i situatës. Dihej që në fillim që sistemi vuante, por nëse këtë mekanizëm në do ta përdorim kaq ashpër ne kemi rrezik të humbasim sistemin ose ta vëmë atë në rrezik në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave kushtetuese që ka”- thotë Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Shefja e ONM është e bindur se proçesi i Vetting ka dhënë një measzh të fortë për të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin.

“ Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, Vetting-ut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethenëse. Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që Vetting-u po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Shpresojmë që ndryshimi në gjyqësor të forcojë profesionalizmin, aftësinë dhe guximin e magjistratëve të sapoemëruar për të luftuar korrupsionin.Disa ditë më parë, me rastin e përurimit të Pallatit të ri të Drejtësisë në Tiranë, unë ndoqa një ceremoni diplomimi të Shkollës së Magjistraturës. Unë isha shumë krenare që pashë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që merrnin detyrën dhe të betoheshin për t'i shërbyer Kushtetutës”- pohon Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Këta që vijnë sado me dëshirë të futen në sistem, këta janë të rinj e para, e dyta që të zhvillohesh në karierë gjyqësore dhë të prokurorisë ka disa kritere ligjore dhe kushtetuese. Është si të rrisësh një njeri, ashtu rritet dhe sistemi”- pohon Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Në shkarkimin e mbi 70 gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra kriteri kryesor ka qenë ai i pasurisë. Ai rrëzoi dhe prokuroren e parë që ju nënshtrua vetting Besa Nikhasanin e cila i është drejtuar Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg, që e ka marrë në shqyrtim çështjen e saj.

“Mosjustifikim i pasurisë në thanë. S’ke çertifikatë pronësie për shtëpinë në Lezhë. Banesën në Lezhë e kisha deklaruar që në 2003-in, me adresë dhe me të dhëna se ka qenë e pahipotekuar. Sot 60% e pronave në Shqipëri janë me probleme” - shprehet Besa Nikëhasani, prokurore e shkarkuar nga Vetting.

“Shoqëria shqiptare ka qenë dhe vazhdon të mbetet një shoqëri informale. Deri para pak vitesh ne edhe pagën e kemi marrë me bordero. Pra kesh dhe jo përmës bankës. T’u kërkosh sot prokurorëeve dhe gjyqtarëve të përgjigjen në detaje për transaksione të caktuara, për justifikim të pasurisë sikur shoqëria ka funksionuar në mënyrë perfekte me formalitet, do të thotë se që në fillim i kë vënë në pozitë të vështirë”- pohon Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

“Dhe ajo për të cilën ne kemi tërhequr vëmendjen ndaj organeve të Vetting dhe kemi parashtruar edhe raportet dhe analizat tona ka qënë fakti se në disa raste parimi i proporcionalitetit, ka shkuar në funksion të konfirmimit në detyrë, dhe në disa raste të tjera ky parim i ka djegur këta prokuorë dhe gjyqtarë dhe i ka shkarkuar nga detyra”- argumenton Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“ Ka standarte të dhjetëfishta jo të dyfishta. Problemi është se këta nuk mbajnë përgjegjësi”- shprehet Besa Nikëhasani, prokurore e shkarkuar nga Vetting.

“Ne jemi Kolegji i posaçëm i apelimit. Ne kemi zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. Nuk na e ndryshojnë idenë e gjykimit as opinonet dhe as mendimet e askujt”- u shpreh Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të posaçëm të apelimit.

Në Gjykatën e strazburgut mjaft prokuorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga Vetting kanë depozituar padi ndaj shtetit shqiptar. Kjo gjykatë ka gjetur në shkelje të konventës së të drejtave të njeriut edhe shtete të mëdha si Franca Anglia por në rastin e shqipërisë rreziku lidhet me besimin ndaj Vetting.

“Mund të krijojë problem Gjykata e Strasburgut përsa i takon besueshmërisë në këtë proçes dhe legjitimitetit të tij”- thotë Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“ Sot Gjyata e Strasburgut ka shtruar pyetje asgjësuese për reformën. Sepse dënohen në një proçes të pandershëm. Këta i kanë lejuar vetes që të jenë vetë hetues edhe vetë gjykatës. Kjo formë nuk ekziston. Kjo do të çojë në kolaps, sapo Strasburgu të japë vendimet e para për proçedurat staliniste”- thotë Sali Berisha- ish-kryeministër.

“Nëse dikush fiton një çështje në Strasburg nuk është sakrilegj madje është mirë, sepse i bën mirë dhe vetë proçesit. E rëndësishme është që struktura e reformës të mos cënohet”- pohon Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Rivlerësimi i afro 700 prokurorëve dhe gjyqtarëve pritet të përfundojë në vitin 2026. Angazhimi i operacionit ndërkombëtar të monitorimit do të jetë deri në fund të këtij proçesi me rekomandime dhe opinione duke përfshirë edhe mendime kundërshtuese nëse është e nevojshme.

“Për më tepër, ne kemi dhënë kohët e fundit 42 milion € nga fondet e BE-së në një program të ri drejtësie që do të ndihmojë në konsolidimin e reformës. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të raportojmë në detaje për situatën e Shqipërisë në raportet e Komisionit. Siç e shihni, angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumëanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës. Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit”- shprehet Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Ne duhet që këtë moment të mos e humbasim për Shqipërinë, sepse është një moment shumë i veçantë. Nëse ne në fund të këtij proçesi arrijmë të kemi një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe profesional, ne kemi disiplinuar të gjithë shoqërinë shqiptare”- shprehet Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT .