Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati nisi një vizitë zyrtare në Athinë për t`i dhënë një shtytje marëdhënieve mes të dy vendeve. Këto marëdhënie vijojnë të mbeten në një frymë mosbesimi mes Tiranës dhe Athinës zyrtare. Por çfarë mendojnë studiuesit për nivelin aktual dhe ardhmërinë e marëdhënieve shqiptaro - greke. Korespondenti i Zërit të Amerikës Raimond Kola bisedoi në Selanik me Doktorin e Shkencave Historike në Universitetin “Aristoteli”, Stavri Dajo, ndërsa Korespondenti në Tiranë Ilirian Agolli bisedoi me Profesorin e së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, Ksenofon Krisafi:
Your browser doesn’t support HTML5
Shqipëria dhe Greqia përballojnë një problematikë komplekse në marëdhëniet mes tyre. Ndonëse nuk kanë munguar bisedimet në nivele diplomatike, të dy vendet kanë kohë që nuk kanë shkëmbyer vizita në nivele presidenciale dhe kryeministrore dhe për me tepër nuk kanë arritur të prodhojnë rezultate për një numër cështjesh që kanë kohë që janë në tryezat e bisedimeve. Doktori i Shkencave Historike në Universitetin “Aristoteli”, Stavri Dajo thote se marëdhëniet shqiptaro - greke karakterizohen nga nje skepticizem dhe mosbesim i ndërsjelltë i cili sipas tij duhet kapërcyer:
”Kohët e fundit është botuar një libër i imi për marëdhëniet shqiptaro - greke në kohën e sundimit komunist në Shqipëri dhe këto marëdhënie cilësoheshin me dy fjalë: skepticizëm dhe mosbesim recipork. Në qoftë se ky mosbesim ishte plotësisht i përligjur në kushtet e Luftës së Ftohtë dhe përkatësisë së ndryshme politike në të dy vendet, tani ai është absurd.”
Edhe Profesori i Universitetit Europian të Tiranës Ksenofon Krisafi thotë se “marëdhëniet shqiptaro - greke duhet të jenë marëdhënie prioritare të popujve të Ballkanit. Kjo vjen nga tradita e tyre e hershme: kanë qenë dy popuj vëllezër, popuj miq, popuj që e kanë parë njëri tjetrin si fqinj ku kanë trokitur për cdo hall në të kaluarën”.
Studiuesi Stavri Dajo thotë se e kaluara historike prodhon ngarkesa toksike te cilat nuk ndihmojnë marëdhëniet mes të dy vendeve.
“Unë besoj që politika retorike e Tiranës dhe sidomos evokimet e fundit historike të zotit Rama me deklaratat e tij nuk ndihmojnë sepse e kaluara historike për të gjitha vendet e Ballkanit, jo vetëm për Shqipërinë dhe Greqinë, ka ngarkesa toksike. Dhe këto ngarkesa toksike nuk ndihmojnë marëdhëniet mes të dy vendeve, përkundrazi i acarojnë ato. Unë mendoj se dy faktorë kanë rëndësi; është minoriteti grek në Shqipëri që duhet marrë parasysh seriozisht nga politika shqiptare dhe është emigracioni shqiptar në Greqi që duhet marrë seriozisht nga politika greke”.
Ndërsa studiuesi Ksenofon Krisafi vlerëson se Tirana zyrtare ka pasur nje qasje realiste kohëve të fundit ndaj problemeve në marëdhëniet shqiptaro - greke.
”Kjo qeveri këtë pati, për mendimin tim, meritën kryesore: identifikoi problemet që egzistojnë me Greqisë, probleme që gjithmonë kapërceheshin në emër të atij pretendimi që të mos krijojmë probleme, të mos ngremë gjëra të paqena etj, etj. Nuk është gjë e paqenë problemi cam, nuk është gjë e paqenë problem i pasurisë së shqiptarëve në Greqi, nuk është gjë e paqenë fakti që grekët pretendojnë të marrin një pjesë të detit të Shqipërisë, nuk është gjë e paqenë fakti që grekët nuk pranojnë të ulen e bisedojnë për Ujrat e Vjosës dhe ujrat e lumenjve kufitare që kanë të bëjnë me Shqipërinë, nuk është gjë e paqenë cështja e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri e plot të tjera”.
Lidhur me ardhmërinë e marëdhënieve studiuesi Dajo thotë se eshte tepër skeptik për arritjen e mareveshjeve të shpejta ne marëdhëniet mes të dy vendeve:
”Unë jam tepër skeptik për arritjen e marëveshjeve të shpejta ose të përmirësimit sa më të shpejtë të klimës mes të dy vendeve sepse ky mosbesim dhe ky skepticizëm është ngulitur edhe në mentalitetin diplomatik, por dhe politik të të dy vendeve. Fakti që nuk është aktualizuar Traktati i Miqësisë mes të dy vendeve, i cili ka skaduar vjet, tregon që akoma ka paragjykime dhe këto paragjykime nuk ndihmojnë”.
Ndërsa studiuesi Ksenofon Krisafi thotë se brezi i ri i politikanëve si në Tiranë dhe në Athinë duhet të shohë përpara.
”Brezi i ri i politikanëve, qoftë në Athinë qoftë në Tiranë, nuk duhet të mbetet rob i dogmave të së kaluarës, duhet të shohë përpara dhe duhet të ketë kurajon të hedhë poshtë trashëgiminë e keqe të së kaluarës. Nuk ka lidhje as politika e Athinës dhe as politika e Tiranës me atë që ka ndodhur në të shkuarën dhe nuk ka pse të mbeten robër të veprimeve që kanë bërë gjyshërit apo stërgjyshërit qofshin bilogjikë qofshin politikë.”