Niveli i lirisë në Shqipëri, i pandryshuar në raportin e Freedom House

  • Keida Kostreci

Në raportin e Freedom House për lirinë në botë, Shqipëria radhitet edhe këtë vit mes vendeve pjesërisht të lira, me një numër të njëjtë pikësh si vitin e kaluar. Në një sistem matjeje ku vendet me vlerësimin 7 janë jo të lira dhe ato me 1 kanë shkallën më të lartë të lirisë, niveli i lirisë në përgjithësi dhe në kategoritë e të drejtave politike dhe lirive civile në Shqipëri është 3. Organizata thotë se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga angazhimi aktiv i mbështetjes së demokracisë, ka pasoja në gjithë botën.

Your browser doesn’t support HTML5

Freedom House: Shqipëria, pjesërisht e lirë

Marc Behrendt, që drejton programin për Euroazinë në organizatën Freedom House, thotë se mungesa e angazhimit amerikan ka pasoja, pasi Shtetet e Bashkuara kanë qenë historikisht model i demokracisë dhe kanë luajtur një rol pozitiv.

“Rënia e nivelit të lirisë në Shtetet e Bashkuara nga njëra anë dhe njëkohësisht tërheqja jonë nga anagazhimi aktiv dhe nga nxitja aktive e të drejtave të njeriut dhe demokracisë që në të kaluarën e kemi bërë me forcë, do të ketë ndikim në Ballkan dhe në botë”.

Freedom House në raportin e saj i bën thirrje Shteteve të Bashkuara që ta rigjallërrojnë angazhimin e tyre për një rol drejtues në mbështetjen e lirisë dhe demokracisë në botë.

Shqipëria, edhe në vitin 2017 ishte në të njëjtin nivel, në grupin e vendeve me liri të pjesshme. Analisti Janusz Bugajski thotë se polarizimi në politikën shqiptare, nuk është pozitiv për zhvillimin e politikave, për reformat, për përparimin drejt Bashkimit Evropian.

“Më duket se sa herë që një parti është në opozitë nuk do që partia në pushtet të ketë sukses, sepse do të vijë një ditë që Shqipëria, nëse gjithçka shkon mirë, do të hyjë në Bashkimin Evropian. Duket sikur opozita në vend nuk do që pala tjetër të mund të valëvisë flamurin e fitores, si rezultat i anëtarësimit prandaj ideja e përpjekjeve për diskreditim të partisë kundërshtare, të përparimit të asaj partie, është në fund të fundit e dëmshme për Shqipërinë dhe për fat të keq këtu interesat partiake marrin përparësi para interesave kombëtare. Mendoj se ky është thelbi i tragjedisë.”

Zoti Bugajski shpreh shqetësimin për mungesën e vullnetit për kompromis. Ai thotë se duket se hapat që po merr qeveria duken në përputhje me ato që ka kërkuar komuniteti ndërkombëtar si kushte për integrim dhe anëtarësim në BE dhe në këtë kuptim thotë se i duken të padrejta disa nga akuzat e opozitës.

“Nuk po them që socialistët po të ishin në opozitë nuk do të bënin të njëjtën gjë dhe ky mendoj se është problemi me politikën shqiptare.”

Zoti Bugajski thotë se një nga problemet dhe pengesat më të mëdha të integrimit të Shqipërisë, korrupsioni është i dyanshëm:

“Mendoj se ka korrupsion nga të dyja palët, ka prova për korrupsion tek të dyja palët kur kanë qenë në pushtet, veçanërisht në sistemin e drejtësisë ku gjykatësit dhe prokurorët nuk bëjnë punën e tyre dhe një pjesë e reformës është që të sigurojë që figura e tyre të verifikohet, që procesi të jetë transparent, që të caktohen njerëz që nuk janë të lidhur me interesa të veçanta biznesi”.

Analisti thotë se përparimi drejt integrimit varet nga ecuria e reformës në drejtësi, pa zbatimin e së cilës ai thotë se Shqipëria do të ngecë në vend. Ai thotë se protestat në këtë moment do të dëmtonin imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Por opozita në Shqipëri, thotë se janë socialistët ata që nuk duan reformën në drejtësi dhe akuzojnë partinë në pushtet për lidhje me krimin.

Në raportet e saj të përvitshme, Freedom House ka radhitur si probleme që kanë penguar Shqipërinë të klasifikohet si vend plotësisht i lirë, polarizimin politik, krimin dhe korrupsionin dhe lidhjet e biznesit me politikën dhe median.