Spahiu: Drejtësia në Shqipëri ka dështuar në luftën kundër korrupsionit

  • Armand Mero

Spahiu: Drejtësia në Shqipëri ka dështuar në luftën kundër korrupsionit

Në Shqipëri nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu tha sot se drejtësia ka dështuar në ndëshkimin e fenomenit të korrupsionit. Në një takim me kryetarët e gjykatave shqiptare Zoti Spahiu tha se edhe ato pak rast që përfundojnë në gjyq janë mbyllur me gjoba apo dënime mjaft të lehta.


Në Shqipëri flitet shumë për luftën kundër korrupsionit, po ashtu edhe për arrestime të zyrtarëve por, për këta te fundit shanset që të mos marrin dënimin e duhur janë të mëdha. Nga afër 7 mijë cështje të gjykuara në vitin 2009 vetëm 34 janë për korrupsion dhe vetëm 44 persona janë të dënuar nga mbi 7200 dënime që kanë dhënë gjykatat shqiptare gjatë vitit të kaluar. Zëvendës kryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu pranoi sot se Drejtësia shqiptare jo vetëm ka dështuar në në dërgimin për gjykim të personave përgjegjës për vepra të korrupsionit, por sic u shpreh ai edhe ato pak vendime gjyqësore të dhëna përmbajnë në vetvete kontradikta të cilat vështirë se justifikohen: “Drejtësia penale shqiptare tregohet më e ashpër me ata të cilët japin rryshfetin, se sa me ata të cilët e marrin këtë rryshfet, megjithëse ligji penal është i qartë se cila është vepra penale më e rëndë. Janë dënuar disa zyrtarë të niveleve të ulta për korrupsion dhe cuditërisht dënohen më ashpër ata që janë gjetur fajtor për kryerjen e korrupsionit në sektorin privat se sa në sektorin shtetëror”.


Nga ana tjetër edhe personat e dënuar, sipas zotit Spahiu në asnjë rast nuk janë ndëshkuar me masa që I afrohen maksimumit të parashikuar: “Për kryerjen e ketyre veprave penale personat e gjykuar kanë marrë dënime mjaft të lehta, me gjobë ose në minimumin e kërkuar nga ligji dhe në asnjë rast dënimet nuk i afrohen maksimumit të parashikuar, për kryerjen e veprës penale. Mjafton tu përmend faktin se 100% e të deklaruarve fajtorë për pabarazi në tendera janë dënuar me gjobë dhe asnjë me heqje lirie”.


Sipas nënkryetarit të Këshillit të lartë një situatë e till zbeh punën e gjykatave dhe shkurajojnë qytetarët për të denoncuar rastet e korrupsionit: “Edhe në ato pak raste të cilat arrijnë të shkojnë përpara Gjykatës, drejtësia humbet në dënime minimale në vend që të jepte shembull për të inkurajuar qytetarët në denoncimin e tyre.Janë pikërisht këto pak vendime dhe mesazhi që ato përcjellin që zbeh dhe zhvlerëson të gjithë punën voluminoze, të përballuar, kushtet e vështira, cilësinë dhe shpejtësinë e gjykimeve dhe vendimeve dhe bën të vështirë të përcjellësh anët e mira të sistemit, kur ai cënon aty ky njerëzit janë më të ndjeshëm. Në këtë pikë edhe Gjykatat kanë dështuar ashtu si të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse për të luftuar këto vepër penale”.

Pavarësisht kësaj situate në lidhje me cështjet e korrupsionit, situate në gjyqësorin shqiptar tha zoti Spahiu nuk paraqitet aq e zezë sa përshkruhet duke pranuar se ajo megjithatë ka nevojë për përmirësim.