Statusi për Shqipërinë shtyhet në qershor 2014

  • Armand Mero
Këshilli i ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit europian vendosi sot të shtyjë për në qershorin e vitit të ardhshëm vlerësimin për dhënien e Statusit kandidat për Shqipërinë në bazë të një raporti që Komisioni europian do të duhet të paraqesë për ecurinë e mëtejshme. Vendimi u mor nën trysninë e pesë vendeve anëtare, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Hollandës dhe Danimarkës, të cilat paraqitën thuajse të njejtin propozim në mbledhjen e pasdites së sotme.

Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, angazhimin e qeverisë së re dhe lavdëron përpjekjet e shtuara në këto sektorë dhe inkurajon autoritetet të ruajnë këtë ritëm të ri. Këshilli do të vlerësojë, në bazë të një raporti që do të paraqitet nga Komisioni, vazhdimin e zbatimit të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar. Në bazë të këtij raporti dhe me mirëkuptimin që Shqipëria do të vazhdoj të ndërtojë mbi përparimet inkurajuese të bëra deri më tani, Këshilli pret të marrë një vendim, lidhur me dhënien e Statusit të vendit kandidat në qershor 2014 në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian”, thuhet në vendimin e marrë nga ministrat e jashtëm të shteteve anëtare.

“Për sa kohë Shqipëria të vazhdojë punën e mirë do marrë statusin. Është në dorën e qeverisë për të punuar dhe për arritje domethënëse" , deklaroi në përfundim të mbledhjes komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, duke saktësuar se Shqipërisë nuk i janë vënë kushte të reja.

Kryeministri Edi Rama në një postim në facebook e vlerësoi kështu vendimin e marrë mbrëmjen e sotme. “Kompromis mes arritjeve të Shqipërisë dhe ngërçit të brendshëm jashtë Shqipërisë. Vlerësohet lart puna e qeverisë po vendimi në qershor!”, shkruan Rama.

Ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha, foli për “një lajm të keq dhe të padëshiruar për Shqipërinë”, duke bërë përgjegjëse qeverinë e majtë e cila sipas tij “përmes arbitraritetit të tyre të skajshëm, paligjshmerisë skandaloze të akteve të tyre, përmes goditjeve sistematike të institucioneve të pavarura, shkatërrimit të policisë së shtetit, spastrimet e ethshme në administratën publike, zhbërjen si konstante e përditshme dhe e vetme e qeverisjes së tyre, ka ushqyer fuqishëm skeptikët dhe kanë kthyer në skeptikë edhe fuqi të mëdha europiane që deri dje ishin të hapur dhe pozitivë për statusin”.