Mbrojtja dhe përdorimet e burimeve ujore nëpër botë

  • Isabela Çoçoli

Mbrojtja dhe përdorimet e burimeve ujore nëpër botë

Shmangia e shpërdorimeve një nga përparësitë kryesore në vendet me mungesë uji të pishëm dhe thatësira të përvitshme

Shmangia e shpërdorimit të ujit është një nga përparësitë kryesore në mbrojtjen e mjedisit nëpër botë dhe veçanërisht në ato vende që kanë mungesë uji të pishëm dhe të tjera që kanë periudha të përvitshme thatësirash që preking ndjeshëm prodhimin bujqësor. Por ka edhe vende që u duhet të krijojnë reshje shiu për të pastruar qytetet.

Shkencëtarët e Universitetit Warwick të Britanisë së Madhe po studjojnë mënyra për përdorimin me kursim të ujit në procesin e vaditjes me fertilizatorë. Sistemi përfshin disa tuba të vendosur nën dhé për të ushqyer me ujë dhe fertilizatorë bimët në rritje.

Ekipi i kërkimeve ka vendosur sensorë të lagështirës në tokë që i dërgojnë informacion një sistemi kontrolli të lidhur me kompjuter, i cili përdor teknologjinë e telefonëve celularë. Sistemi i kontrollit hap ujin kur toka është e thatë nën nivelin e caktuar. Duke përdorur këtë teknologji të re, fermerit i krijohen kushtet të vendosë kur dhe cilat bimë të vaditë, madje dhe me çfarë sasi uji.

Rezultatet e deritanishme të përdorimit të kësaj teknologjie tregojnë për një rënie të konsiderueshme të humbjeve në procesin e vaditjes me ujë të përzjerë me fertilizatorë. Për më tepër, ky proces është shumë i rëndësishëm për rajonet me thatësirë të madhe të botës.

****

Kina ka bërë eksperimente për krijimin artificial të reshjeve për dekada me radhë. Shirat artificiale janë përdorur në fakt për të pastruar qytetin pas stuhive të forta të shoqëtuara me ngritjen e pluhrit.

Ekspertët e zyrës së modifikimit të motit në provincën Hebei përdorin një tip avioni të vogël për të spërkatur retë me një katalizator për të gjeneruar reshje shiu. Ata fluturojnë 50 deri në 60 herë në vit, kryeisht në stinën e pranverës apo të vjeshtës, kur pjesa veriore e Kinës goditet nga thatësirat e mëdha.

Shumë shkencëtarë argumentojnë se procesi i ngarkimit të reve është në fakt proces “i vjedhjes së shiut”, sepse duke krijuar shi artificialisht në një zonë, një zone tjetër i mungojnë reshjet dhe një proces i tillë mund të çojë në probleme për mjedisin.
Por fermerët në fshatrat përreth Pekinit nuk janë dakord me këtë argument, duke thënë se thatësira e tejzjatur e Kinës prek produktivitetin e të mbjellave çdo vit dhe ata duhet të marrin ndihmë në çdo formë që të jetë e mundur.

****

Pyjet me re kanë ekosisteme që gjenden vetëm në disa zona malore tropikake. Ato nuk janë vetëm zona bukurish natyrore, por edhe burime uji të freskët për shumë qytete të botës.

Qendra e Kombeve të Bashkuara për Monitorimin e Konservimit të ujit nëpër botë ka futur tashmë në praktikën e saj vëzhgimin e këtyre pyjeve në kuadrin e përpjekjeve për të ruajtuar këto ekosisteme të veçanta.

Vëzhgimet treguan se pyjet me re janë në rrezik për shkak të prerjes së drurëve dhe ngrohjes globale, veçanërisht në Azi dhe në Amerikën e Jugut, ku pjesa më e madhe e tokës është pastruar për t’u përdorur si tokë bujqësore.

Përfundimet e studimit i kanë nxitur kompanitë private që shfrytëzojnë burimet e ujit të mbështesin zgjidhjet e propozuara dhe të financojnë fermerët prë të mbrojtur pyjet me qëllim që të pakësojnë dëmet. Megjithatë, duhet bërë më shumë punë për t’i mbrojtur këto ekosisteme delikate, para se ato të zhduken përgjithëmonë.