Planet dhe ambicjet e ish-guvernatores së Alaskës Sara Pejlin

  • Xhim Maloun

Planet dhe ambicjet e ish-guvernatores së Alaskës Sara Pejlin

Ish-guvernatorja e Alaskës dhe ish-kandidate për nënpresidente, Sarah Palin ishte në një tjetër turne për nënshkrimin e librit të saj të dytë, që ka shkaktuar spekullime lidhur me mundësinë e kandidimit të saj në zgjedhjet presidenciale të 2012-ës.

Libri më i fundit i Sarah Palin-it titullohet “America by Heart: Reflections on Family, Faith and Flag”. “Amerika Ime: Refleksione mbi Famljen, Besimin dhe Flamurin”. Në këtë libër, ish-guvernatorja e Alaskës kritikon presidentin Barak Obama për atë që ajo e quan mungesë e besimit tek populli amerikan. Zonja Palin po ashtu shkruan se ndërsa ajo personalisht e admiron Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton, ajo mendon se zonja Klinton është bllokuar në një qëndrim politik të periudhës militante të viteve ’60.”

Sarah Palin kohët e fundit tha në një intervistë televizive se ajo po shqyrton mundësinë e kandidimit për postin e presidentes në zgjedhjet e vitit 2012. Gjatë fushatës së kohëve të fundit për zgjedhjet e nëntorit për në Kongres, zonja Palin zhvilloi fushatë aktive në mbështetje të kandidatëve republikanë në mbarë vendin.

"Sigurisht, që ne nuk mund të presim vitin 2012 për ta futur vendin në drejtimin e duhur. Ne kemi nevojë të fillojnë që tani, duke zgjedhur udhëheqës të fortë, të cilët nuk kanë frikë t’ vënë në kontroll shpenzimet e qeverisë. Është koha të përpiqemi më shumë se zakonisht, është koha për ta kthyer përsëri vendin tonë në rrugë të drejtë!"

Një anketë e re e zhvilluar nga Universiteti Kuinipiak në Konektikat arrin në përfundimin se zonja Palin është në grupin e kandidatëve republikanë për president në zgjedhjet e vitit 2012. Sipas anketimit, zonja Palin mori 19 për qind të mbështetjes në zgjedhjet paraprake të partisë republikane, e pasuar nga ish-guvernatori i Masachusetsit dhe kandidati presidencial i zgjedhjeve të vitit 2008 Mit Romney, me 18 për qind. Ish-guvernatori i Alaskës Majk Hakëbi ishte në vend të tretë, me 17 për qind, i pasuar nga ish-kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Njut Grinuiç me 15 për qind dhe guvernatori i Minesotës Tim Paulenti, me 6 për qind. Anketuesi i Universitetit Kuinipiak, Piter Braun, thotë se Sarah Palin mund arrijë të fitojë emërimin e Partisë Republikane, por ajo do të përballet me një luftë të ashpër në zgjedhjet e përgjithshme të partisë.

"Guvernatorja Palin ka një profil tepër ineteresant të mbështetjes. Ka një numër të madh njerëzish të cilët e mbështesin atë fuqishëm, por në përgjithësi, mbështetja e elektoratit për të nuk është dhe aq e mirë. 54 për qind e votuesve nuk e mbështesin atë dhe vetëm 36 për qind kanë opinon të mirë për të. Këto shifra domethënëse tregojnë se është tepër e vështirë të ndryshojnë preferencat për një person tepër të njohur".

Në anketimin e Universitetit Qiunnipiak, Mitt Romney ka një diferencë tepër të ngushtë me presidentin Obama, 45 me 44 për qind, ndërsa Majk Hakëbi po ashtu doli me diferencën e ngushtë, duke u radhitur pas Presidentit, në raportin 44 me 46 për qind. Sarah Palin ka dalë më keq nga të gjithë në anketim, në raportin 48 me 40 për qind me Presidentin.

Fakti që Sarah Palin po shqyrton mundësinë e kandidimit në zgjedhjet presidenciale ka shkaktuar një debat të ashpër mes ekspertëve politikë, mes tyre edhe Morton Kondracke, kryeredaktor i gazetës “Roll Call”.

"Mendoj se kemi të bëjmë me një fenomen. Ajo është yll dhe e tërheq shtypin kudo që shkon. Por nuk bëhet fare fjalë që ajo të jetë kandidatja republikane për zgjedhjet e ardhshme, sepse as që mendohet që ajo mund të sigurojë mbështetjen e republikanëve të thjeshtë".

Por jo të gjithë kanë të njëjtin mendim. Disa analistë kanë imagjinuar një skenar në fushatën e vitit 2012, në të cilën zonja Palin do të bëhej e emëruara republikane që do të ndeshet me Presidentin Obama dhe me një kandidat të mundshëm të pavarur, si Kryetari i Bashkisë së qyteti të Nju Jorkut Majkëll Blumberg, i cili mund t’i marrë presidentit votat e liberalëve dhe të moderuarve.

Norman Ornshtajn është studjues politik në Insitutin “American Enterprise” në Washington.

"Nëse Sarah Palin do të ishte e emëruara e republikanëve, dhe Barak Obama kandidati demokrat dhe në garë futet edhe Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, kjo mund t’i shtojë shanset që Sarah Palin të fitojë garën".

Fushata presidenciale e vitit 2012 mund të duket e largët, por për personat që duan të kandidojnë ajo është shumë pranë. Kandidatët pritet të bëjnë të njohur vendimin për pjesëmarrjen në garë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, në mënyrë që të fillojnë të organizojnë fushatat e tyre për të kandiduar në zgjedhjet paraprake në fillim të vitit 2012.