Klinton: Statusi, sovraniteti dhe tërësia e Kosovës – të padiskutueshme

Klinton: Statusi, sovraniteti dhe tërësia e Kosovës – të padiskutueshme

Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Klinton, i siguroi sot udhëheqësit e Kosovës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës edhe në proceset e ardhshme politike. Pas takimeve me udhëheqësit më të lartë të Kosovës, sekretarja Klinton e cila erdhi në Prishtinë nga Beogradi, bëri thirrje për fillimin sa më të shpejtë të dialogut ndërmjet të dyja palëve për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët. Ajo tha se në të gjitha proceset politike të Shtetet e Bashkuara mbeten partnerë të Kosovës.

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara ishin partnerë gjatë luftës, gjatë periudhës së rindërtimit që pasoi luftën dhe gjatë rrugëtimit të vështirë të Kosovës drejt pavarësisë. Që nga fillimi Shtetet e Bashkuara mbështetën të drejtën e Kosovës për të ekzistuar si shtet sovran i pavarur në kufijtë e saj ekzistues”, tha sekretarja Klinton duke nënvizuar se Kosova duhet të mbështetët në punën e saj të rëndë për të ndërtuar një vend demokratik, të qëndrueshëm e të përparuar ne paqe më fqinjët dhe të integruar në strukturat euroatlantike. Në këtë kuadër tha ajo, Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara me dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u ofron mundësi këtyre dy vendeve që të zgjidhin çështjet praktike dhe të tejkalojnë pengesat për të qenë fqinjë të mirë.

Disa çështje, siç është statusi, sovraniteti dhe tërësia tokësore e Kosovës, nuk do të diskutohen, por udhëheqësit e të dyja palëve duhet t’i qasen dialogut me mirëbesim dhe respekt për shqetësimet e njëri tjetrit”, tha sekretarja Klinton, duke nënvizuar se që nga sonte në Bruksel do të fillojë me zyrtarët e Bashkimit Evropian strukturimin e këtij dialogu, në të cilin Shtetet e Bashkuara do të kenë rol mbështetës.

Mendojmë se dialogu duhet të fillojë sapo të jetë i gatshëm sepse pavarësisht nga zgjedhjet që do të organizohen në Kosovë dhe pastaj vitin e ardhshëm edhe në Serbi, ne besojmë se është në interesin e Kosovës që ai të fillojë dhe të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. SHBA-ja do të luaj një rol mbështetës dhe ne besojmë fuqishëm se duhet të ketë një rrugë të qartë për dialogun. Ai nuk mund të zgjas shumë kohë dhe duhet të jetë i përqendruar e të jap rezultate”, tha zonja Klinton duke e siguruar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi për mbështetjen amerikane edhe në këtë proces.

Dua ta dini kryeministër se ashtu siç ishim me ju në rrugën e vështirë të pavarësisë do të qëndrojmë me ju. Ne jemi partnerët dhe miqtë tuaj dhe jemi shumë të përkushtuar për të ardhmen tuaj”, tha zonja Clinton duke vënë theksin në detyrat që ka Kosova para vetës në përpjekjet për të ndërtuar një demokraci ku ku do të ketë një zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, zgjedhje të lira e drejta dhe për të nxitur njerëzit e përkatësive të ndryshme etnike që të jetojnë në harmoni dhe të punojnë për një të ardhme të përbashkët.

Clinton vizion edhe Graçanicën

Ne do të ndihmojmë Kosovën në përpjekjet për të integruar komunitetin serb. Trashëgimia kulturore e Kosovës është krenari për shumë qytetarë tuaj që besojnë se llojllojshmëria është forcë kombëtare”, tha sekretarja Klinton duke u bërë thirrje edhe pjesëtarëve të pakicave që të përfshihen në proceset politike në Kosovë.

Zonja Klinton qëndroi në Manastirin mesjetar të Gracanicës, ndërsa atje u takua edhe me kryetarin e kësaj komune dhe disa komunave të tjera me shumicë serbe të krijuara pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar si dhe me atë të komunës së Shtërpcës, një komunë tjetër më shumicë serbe në Kosovën jugore. Ajo i ka siguruar kryetarët e komunave sere për mbështetjen amerikane, ndërsa më herët pas takimeve me udhëheqësit e Kosovës tërhoqi vërejtjen për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore e fetare në Kosovë dhe për ndërtimin e një shoqërie shumetnike.

Sekretarja Clinton para shtatores së ish presidentit Clinton

Jashtë të gjitha planeve të bëra, zonja Klinton ndaloi për pak çaste pranë shtatores së bashkëshortit të saj ish presidentit amerikan Bill Klinton, shtatore kjo e vendosur në sheshin që mban emrin e ish presidentit amerikan. Zonja Klinton pati një takim emocionues me qytetarë të shumtë që po brohorisnin emrin e saj, ndërsa vizitoi edhe një dyqan që mban emrin “Hillary”. Gjatë gjithë rrugës për në Parlamentin e Kosovës, ajo është përshëndetur nga qytetarë që ishin mbledhur për të pritur mysafiren e lartë. Një numër syresh kujtonin vizitën e zonjës Klinton në kampet e refugjatëve në Maqedoni gjatë luftës në Kosovë.

Vizita e zonjës Klinton vlerësohet shumë e rëndësishme për shkak të rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Ky rol shihet i pazëvendësueshëm edhe në proceset e ardhme politike në Kosovës dhe përmbushjen e aspiratave të saj për integrimet euro atlantike. Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. Deri tash 70 vende të botës e kanë pranuar pavarësinë e shtetit të ri e cila kundërshtohet ashpër nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Vizita e zonjës Klinton është vizita e dytë e një rangu të lartë të zyrtarëve amerikan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në maj të vitit 2009 Kosovën e pati vizituar nënpresidenti amerikan Xho Bajden.