Muzeu i kinezo-amerikanëve në Amerikë

  • Karolin Uiver

Muzeu i kinezo-amerikanëve në Amerikë

Kinezët janë vendosur në Shtetet e Bashkuara që në themelimin e këtij vendi, megjithëse deri në vitet 1940 prania e tyre ka qenë e vogël në numër. Ashtu si shumë grupe të tjera etnike, ata kanë përballuar paragjykimet dhe mohimin e mundësive deri kur lëvizja për të drejta civile filloi të rrëzonte muret e ndarjes racore në arsim dhe punësim. Në vitin 1980, lindi ideja e hapjes së një muzeu kushtuar këtij komuniteti, në kuadër të Projektit Historik mbi Komunitetet Kineze. Muzeu i kinezëve në Amerikë u hap këtë vit në lagjen kineze të Nju Jorkut.

Muzeu i ri i Kinezëve në Amerikë, i projektuar nga arkitektja Maja Lin, është ndërtuar në një mjedis të ndriçuar nga sipër, që ka në qendër një strukturë me tulla, me idenë që t’i përngjajë shtëpive shekullore me oborr në Kinë.

Një tjetër sallë i ngjet një farmacie tradicionale kineze, që mund ta gjesh në çdo lagje kineze të botës së sotme.

Por ekspozita kryesore rrëfen një histori të panjohur nga shumë veta në botë apo në Shtetet e Bashkuara, ku 1 për qind e popullatës ka prejardhje kineze.

Në vitet 1700, disa detarë kinezë në anije tregtare ishin vizitorët e parë nga Kina në Amerikë. Por në vitet 1840, një dyndje punëtorësh kinezë erdhën në këtë vend për të ndihmuar në ndërtimin e hekurudhave, duke filluar që nga Kalifornia. Drejtoresha e Muzeut, S. Alice Mong:

“Të gjithë e dimë historinë e ardhjes së kinezëve për të punuar në hekurudhat perëndimore. Dimë për evropianët, irlandezët, pastaj ndërtimin e hekurudhave në pjesën lindore dhe momentin kur shinat u takuan në Promontory Point të shtetit Utah. Por kinezët kanë qenë edhe më parë këtu për punë në miniera”.

Ata imigrantë kinezë erdhën gjatë periudhës së kërkimeve për ar, kur u zbulua ar në kodrat dhe përrenjtë e pjesës perëndimore të Amerikës dhe Kanadasë.

Kur përfundoi dyndja pas arit dhe ndërtimi i hekurudhave, kinezët zbuluan se ishin të padëshiruar. Ligji i vitit 1882 për Dëbimin e Kinezëve ishte i vetmi akt legjislativ që ndërmorën ndonjëherë Shtetet e Bashkuara për të bllokuar marrjen e shtetësisë në bazë të origjinës kombëtare.

“Në Shtetet e Bashkuara kishte krizë ekonomike dhe kinezëve iu tha të ktheheshin në atdhe: “Na ndihmuat të ndërtojmë hekurudhat, tani largohuni”. Për fat të keq, shumë nga këta punëtorë nuk kishin vend tjetër ku të shkonin. Po ashtu, ata nuk mund të sillnin familjet, pasi nuk ishin shtetas. Kjo ishte zanafilla e lagjes kineze në qytete të ndryshme amerikane”.

Imigrantët kinezë nuk mund të integroheshin gradualisht si irlandezët dhe italianët. Ata mund të gjenin punë vetëm në disa biznese:

Ata që nuk donin të punonin si shërbëtorë, shpesh hapnin lavanderi. Ishte punë e rëndë dhe e pistë. Në muze është ekspozuar një hekur tipik për hekurosjen e rrobave. Ai peshon afro 4 kg dhe ata që e përdornin duhet të punonin me të për orë të tëra.

Restorantet kineze, disa me ushqim të traditës kineze dhe të tjerë me kuzhinë të modifikuar për turistët, ishin rruga kryesore drejt pavarësisë.

Në art, kinezët portretizoheshin si misteriozë, dinakë dhe shpesh të rrezikshëm ose qesharakë. Kodi racor i Hollivudit nuk lejonte aktorë si artisten kinezo-amerikane Ana May Wong, të putheshin me aktorë të bardhë.

“Ajo vdiq me zemër të thyer, pasi kurrë nuk e ndjeu veten të pranuar në Amerikë”.

Ligjet kundër imigracionit dhe martesave mes racave filluan të lehtësohen pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vendosjen e komunizmit në vitin 1949 që zgjoi dyshime të reja për kinezo-amerikanët.

Por, që nga vitet 1960, kinezo-amerikanët kanë bërë përparim të dukshëm në çdo fushë.

“Njerëz si Yoyo Ma, I.M. Pei, stilistet Vera Wang apo Ana Sui, kanë arritur sukses të konsiderueshëm”.

Vizitorë si 14-vjeçari Maçej Buko nga Florida thonë se muzeu rrëfen një histori të pazbuluar më parë:

“Pjesa më e madhe e fëmijëve kanë mësuar për diskriminimin e afrikano-amerikanëve, por askush nuk ka dëgjuar për diskriminimin e kinezo-amerikanëve apo propagandën kundër tyre, ose faktin që atyre iu mohua mundësia për të ardhur në këtë vend, pasi ishin të padëshiruar këtu”.

Drejtoresha Mong thotë se ky muzeumi tani synon të bëhet Muzeu Kombëtar i Kinezëve në Amerikë dhe të tërheqë vizitorë nga e gjithë Amerika dhe bota.