Një gjykatë në Suedi e shpalli fajtor një serb dhe e dënoi me burgim të përjetshëm për krime lufte në Kosovë. Milic Martinovic, 34 vjeçar i cili është dënuar për pjesëmarrje në vrasje masive të shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999, është urdhëruar të paguajë një shumë prej 235 mijë dollarësh amerikan.
Gjykata e qarkut në Stokholm e shpalli atë fajtor për vrasje, tentim vrasje, rrëmbim, plaçkitje dhe zjarrvënie në fshatin Qyshk të komunës së Pejës në Kosovën perëndimore.
Ai ishte arrestuar në prill të vitit 2010 në Stokholm të Suedisë, ku kishte kërkuar strehim.
Miliç Martinoviç ishte pjesëtar i forcave të posaçme të policisë serbe të cilët akuzohen se më 14 maj të vitit 1999 kanë kryer vrasjen e 40 civilëve shqiptarë në fshatin Qyshk. Në shtator të vitit 2010 prokuroria serbe për krime të luftës kishte ngritur aktpadi ndaj nëntë ish paraushtarakëve serbë lidhur me këtë ngjarje. Ata akuzohen për vrasje, përdhunime, shkatërrim të pronës dhe plaçkitje me qëllim të frikësimit të civilëve shqiptarë në mënyrë që t’i detyrojnë ata të largohen nga vendbanimet e tyre dhe të shpërngulen në Shqipëri.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, pjesëtar të njësive paraushtarake të njohura si “Cakajt ”, "janë treguar skajshmërisht të dhunshëm dhe të pamëshirshëm", ndërsa kanë djegur më pas trupat e viktimave për të penguar identifikimin e tyre.
Në mesin e të vrarëve në këtë ngjarje ishte edhe Hasan Ceku, babai i ish kryeministrit të Kosovës Agim Ceku dhe disa anëtarë të familjes së tij.
Prokuroria serbe kishte bërë të ditur se në atë ngjarje janë të përfshirë edhe 17 të dyshuar që ndodhen në arrati dhe se ndaj tyre janë lëshuar fletarrestime nëpërmjet Interpolit.
Mbi 10 mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë e cila morri fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.