Sallivan: Akuzat për trafikim organesh nga UÇK-ja janë shokuese

  • Keida Kostreci
    Uashington

Sallivan: Akuzat për trafikim organesh nga UÇK-ja janë shokuese

Një gazetare amerikane që ka mbuluar periudhën e luftës dhe pas luftës në Kosovë, thotë se akuzat e raportit të Këshillit të Evropës për UÇK-në dhe Hashim Thaçin janë shokuese. Stacy Sullivan, autore e librit “Nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se UÇK-ja ishte një organizatë shumë hermetike dhe kishte elementë kriminalë. Kur sheh pas ajo mendon që disa shenja në Burrel ishin shqetësuese. Por megjithëse zonja Sullivan kishte qenë në gjendje të konfirmonte vrasjen e serbëve nga UÇK-ja, ajo nuk kishte dëgjuar as nga serbët dhe as nga kontaktet e saj brenda UÇK-së, që organet e tyre të ishin trafikuar. Stacy Sullivan iu përgjigj pyetjeve të koleges Keida Kostreci nga Jeruzalemi ku jeton aktualisht.

Zëri i Amerikës: Stacy, si gazetare juve mbuluat luftën në Kosovë në fund të viteve 1990. Cili është mendimi juaj mbi akuzat e përfshira në raportin e anëtarit të Këshillit të Evropës, Dik Marti?

Stacy Sullivan: Këto akuza janë shokuese. Nuk ka diskutim që situata ishte jashtëzakonisht kaotike në Kosovë, që nuk kishte një kufi real mes Shqipërisë dhe Kosovës, që UÇK-ja kishte elementë kriminalë, por nga çfarëdo standardi, ideja e vrasjes së njerëzve, dhe marrjes së organeve për t’i shitur është shokuese.

Zëri i Amerikës: Ju mbuluat luftën dhe shkruat edhe një libër më pas për UÇK-në. Gjatë udhëtimeve tuaja atje, a mendoni se po të kishte ndodhur një gjë e tillë, do të kishit qenë në gjendje të vinit re, të shihnit diçka?

Stacy Sullivan: Do të më pëlqente të mendoja se do ta kisha vënë re, por UÇK-ja ishte një organizatë shumë hermetike. Unë kisha mbuluar luftën në Bosnje para luftës së Kosovës dhe atje ushtria boshnjake thoshte: “hajde me ne, shiko se çfarë po ndodh, ne po masakrohemi nga forcat serbe” dhe na ftonte të shihnim se çfarë po ndodhte. Me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte krejt ndryshe. Të gjithë ne gazetarët që mbulonim luftën në Kosovë, i shihnim shqiptarët si viktima dhe unë ende besoj se ata ishin viktimat. Ne përpiqeshim t’i thoshim UÇK-së se ne donim të njoftonim për atë që po ndodhte, të tregonim mizoritë që po kryheshin, por ata e bënë pothuajse të pamundur për ne. Ata ishin krejtësisht të mbyllur, rrallë na linin që të intervistonim ushtarë, ishin shumë dyshues ndaj anëtarëve të huaj të medias, pra ishte shumë e vështirë. Prandaj nuk më befason. Dukej sikur gjithmonë po fshihnin diçka. Ne nuk kishim gjithmonë mundësinë që t’u afroheshim dhe nuk do më habiste që ata të ishin të përfshirë në aktivitete kriminale. Por nuk do më kishte shkuar mendja kurrë që mund të ishin duke bërë heqje dhe trafikim organesh.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ndoshta fakti që media perëndimore vinte me një ide të formuar se cilët ishin viktimat dhe cilët shkaktarët, mund t’i pengonte ata që të kishin një qëndrim më dyshues?

Stacy Sullivan: Unë edhe sot besoj se shqiptarët ishin viktimat. Ata ishin nën pushtimin serb për vite me radhë, iu ishin mohuar të drejtat civile dhe njerëzore. Ata trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë dhe unë akoma mendoj se në thelb lufta e UÇK-së për pavarësi nga Serbia ishte fisnike. Vetëm se mendoj që nuk mund të mohohet që kishte elementë kriminalë në UÇK. Nuk besoj që ata anëtarë të UÇK-së për të cilët unë shkrova librin ishin të përfshirë në gjëra të tilla. Unë mendoj që ata ishin imigrantë që kishin punuar për të ndërtuar një jetë në Shtetet e Bashkuara, por besoj se është dokumentuar që prapa UÇK-së kishte elementë kriminalë, që kishte kontrabandë armësh dhe drogoe, dhe trafikim grash, por nuk do ta kisha menduar se bëhej fjalë edhe për trafik organesh.

Zëri i Amerikës: A kishit në atë kohë kontakte me Hashim Thaçin, apo me njerëz të tjerë që akuzohen se kanë qenë të përfshirë në këtë lloj aktiviteti?

Stacy Sullivan: Jo. Dhe në fakt isha përpjekur vazhdimisht që të kisha kontakt me Hashim Thaçin dhe grupin e Drenicës dhe çdo herë që isha përpjekur, nuk isha lejuar. Në Nju Jork isha takuar me Florin Krasniqin që ishte një nga personat kryesorë që mblidhte fonde dhe ai ishte i lidhur me grupin e Pejës, që nuk është akuzuar. Unë nuk pata kontakte me Hashim Thaçin deri pas luftës, kur ishte kryeministër dhe unë e intervistova. Ishte një bisedë formale por unë nuk pata asnjë shenjë se mund të kishte qenë i përfshirë në ndonjë gjë.

Zëri i Amerikës: A kishit parë, apo dëgjuar gjëra në atë kohë që tani mund t’ju bëjnë tani të mendoni se diçka po ndodhte?

Stacy Sullivan: Një gjë që kisha parë më shqetëson sot. Në Burrel, ku ishte një bazë e UÇK-së, ishte një grup shqiptaro-amerikanësh, që kishin shkuar atje për t’u sërvitur para se të bashkoheshin me luftën, me brigadën e Atlantikut. Unë u përpoqa për disa ditë në Burrel, në përpjekje për t’u futur në këtë kamp, për të intervistuar disa nga ushtarët e rinj amerikanë. Mbaj mend që pashë shiringa dhe artikuj të tjerë mjekësorë në territorin e kampit. Po ashtu, të rinjtë shqiptaro-amerikanë që do të shkonin të luftonin me UÇK-në, më treguan për këto shiringa dhe artikuj mjekësorë. Atëherë mendova – dhe mund të jetë e vërtetë – që ishin artikuj të vjetër mjekësorë që ishin ruajtur në një magazinë. Sot më trondit ideja që mund edhe të kishin qenë mjetet e para të atij që mund të ishte operacioni i trafikimit të organeve. Megjithatë unë nuk e di se për çfarë u përdorën ato që pashë unë.

Zëri i Amerikës: Dhe gjatë asaj periudhe a patët kontakte me serbë që mund të kishin shprehur shqetësimet për një gjë të tillë?

Stacy Sullivan: Unë pata kontakte me serbë, anëtarë të familjes së të cilëve ishin zhdukur. Ata ishin të dëshpëruar të merrnin vesh se ç’kishte ndodhur me ta. Unë isha në gjendje të konfirmoja që UÇK-ja ishte e përfshirë në zhdukjen dhe vrasjen e tyre, por asnjëherë ndonjë nga serbët nuk shprehu akuza për heqje organesh. Nga ana tjetër unë kisha kontakte të brendshme në UÇK që më ndihmonin të zbuloja se ç’kishte ndodhur, por askush kurrë nuk me la të kuptoja që këta njerëz u vranë për t’iu marrë organet.