Mbetet vetëm një muaj nga dita e zgjedhjeve vendore në Shqipëri. Megjithë kritikat e shumta mbi procesin zgjedhor, listat e votuesve dhe klimën politike që u ka paraprirë zgjedhjeve të mëparshme, si të përgjithshme, ashtu edhe vendore, një numër problemesh po shoqërojnë edhe përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit. Rrugët e mundshme për kapërcimin e krizës aktuale politike dhe domethënia e këtyre zgjedhjeve për Shqipërinë ishin tema e një diskutimi të zhvilluar në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington.
http://www.youtube.com/embed/UOLEJwYIJbI
Zgjedhjet e vitit 2009 lanë pas një atmosferë tepër të polarizuar në Shqipëri. Gjatë muajve të fundit në përgatitje për zgjedhjet e 8 majit, është shfaqur një agresivitet i theksuar nga të dyja palët, gjë që ka privuar debatin politik nga një diskutim i alternativave të mirëfillta dhe platformave zgjedhore për votuesit shqiptarë. Ky është konkluzioni i deputetit socialist Arben Malaj, i ftuar në një diskutim të Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington. Zoti Malaj e përqendron kritikën e tij tek mënyra si e djathta në pushtet ka menaxhuar situatën, duke akuzuar mazhorancën për manipulim të kompetencave për përfitime politike:
“Besoj se shqetësimi kryesor është lidhur me mundësinë që ka mazhoranca për të keqpërdorur statusin e saj si qeverisje e vendit, lidhur me keqpërdorimin e administratës publike lidhur me influencat negative në media duke i joshur me reklama qeveritare, apo duke u bërë presion me kontrolle fiskale dhe e treta, që ka rëndësinë e saj në ambjentin e përgjithshëm është keqpërdorimi i parave buxhetore me inaugurime sporadike, janë para që përgjithësisht humbasin, janë projekte të copëzuara të cilat përdoren thjesht në konceptin e blerjes së votës".
Nuk është një fenomen i ri apo unik për Shqipërinë, që zgjedhjet vendore të shërbejnë si barometër për klimën politike në përgatitje për zgjedhjet parlamentare të 2013. Por një politikë e tillë, paralajmëron deputeti socialist Andis Harasani, lë në harresë interesat e qytetarit të thjeshtë dhe dëmton konsolidimin e pushtetit vendor:
"Këto janë zgjedhje lokale, janë zgjedhje për të zgjidhur problemet e qyteteve dhe komunave të ndryshme, nuk janë zgjedhje politike”.
Deputetët Malaj dhe Harasani, të njohur për qëndrimin e tyre kritik ndaj kryetarit socialist Edi Rama, u ndalën në analizën e tyre edhe në mangësitë që ka treguar opozita në përmbushjen e rolit të saj në jetën politike të vendit. Për këtë deputeti Harasani fajëson kreun socialist se ka braktisur procesin politik, duke larguar vëmendjen nga problemet parësore për vendin:
“Bojkoti vazhdon ende. Kjo është fatkeqësi për gjithë jetën politike shqiptare. Mendoj që zoti Rama ka nxjerrë mësime nga gabimet e këtyre 2 viteve të fundit. Unë shpresoj që ne do të fitojmë zgjedhjet lokale, por edhe nëse ndodh diçka tjetër ne do të vazhdojmë jetën parlamentare”.
Vetëm një muaj para zgjedhjeve vendore, shumë nga problemet që mbeten nuk pritet të gjejnë zgjidhje, ndërkohë që debati politik po ashpërsohet më tej. Pyetja që ngrihet është kostoja e kësaj politike mbi të ardhmen e vendit dhe ambicjet e Shqipërisë për integrim evropian.
Ndryshimi, thotë zoti harasani, duhet të fillojë me një mentalitet të ri brenda forcave kryesore politike dhe vullnetin e mirë për ndryshime:
“Nuk ka zgjidhje tjetër. Mendoj se rezultati i 8 majit do të jetë prova më e mirë që Partia Socialiste ka nevojë të hapet, ka nevojë të bëhet më demokratike dhe ka nevojë që të respektohen vlerat në Partinë Socialiste”.
Reformat, theksojnë pjesëmarrësit në diskutim, janë të domosdoshme në këto momente kritike për vendin, kur Shqipëria ka ende përpara sfida madhore dhe kur po përpiqet për të dytën herë të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Pa reforma të tilla, nënvizojnë ata, Shqipëria dhe e ardhmja e saj do të mbeten peng e grindjeve me motive politike, pa konsideratë për prioritetet e vendit.