U nda nga jeta në moshën 84 vjeçare, në qytetin e Shkodrës, kleriku dom Simon Jubani, një figurë e njohur e qëndresës antikomuniste dhe vendosmërisë për rifitimin e lirive fetare. Dom Simon Jubani vuajti 26 vite të jetës së tij në burgjet e diktaturës komuniste. Pas daljes nga burgu, në nëntor të vitit 1990 udhëhoqi meshën e parë publike, meshe e cila shënon edhe fillimin e shembjes së rregjimit komunist. Në sallën “Kardinal Mikel Koliçi” të Katedrales së Shkodrës nisën sot homazhet, që do të përfundojnë të ejten me një meshë për shpirtin e tij dhe, më pas, trupi i dom Simon Jubanit do të përcillet për në banesën e fundit, në varrezat katolike të Rrmajit, në qytetin e Shkodrës.