Obama: Arrestimi i Mlladiçit - një ditë e rëndësishme për viktimat e luftës

  • Dejvid Gollast
    Zëri Amerikës

Obama: Arrestimi i Mlladiçit - një ditë e rëndësishme për viktimat e luftës

SHBA iu bashkuan aleatëve të tyre evropianë dhe grupeve për të drejtat e njeriut duke përshëndetur arrestimin në Serbi të të kërkuar për krime lufte Ratko Mlladiç. Ekspertët e Ballkanit thonë se shpresojnë që arrestimi i tij do të pasohet nga reforma në shërbimet serbe të sigurimit, ku mendohet se ka elementët që mund ta kenë fshehur Mlladiçin.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara përfshinte një deklaratë nga Presidenti Barak Obama, ku lavdërohej qeveria e Presidentit Boris Tadiç për ato që cilësoheshin si “përpjekje të vendosura” për të garantuar që Mlladiçi do të ballafaqohej me drejtësinë.

Zoti Obama e cilësoi këtë një ditë të rëndësishme për viktimat e Mlladiçit, për Serbinë, Bosnjen, Shtetet e Bashkuara dhe drejtësinë ndërkombëtare.

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner tha se arrestimi, megjithëse i vonuar, tregon se drejtësia ndërkombëtare funksionon:

"Ky është një paralajmërim për të gjithë ata në mbarë globin, të cilët sulmojnë civilë, se nuk do të gjejnë vend ku të fshihen. Nuk e di nëse viktimat do të gjejnë ndonjëherë qetësim të plotë. Por për ata që kanë vuajtur nga këto krime të tmerrshme, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, shpresoj që kapja e Mlladiçit do të sjellë një farë ngushëllimi. Ka rëndësi që Serbia reagoi në mënyrën e duhur ndaj këtij individi dhe po tregon seriozitet për integrimin evropian”.

Arrestimi i Mlladiçit, i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, u përshëndet si “një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë” nga organizata Amnesty International.

Organizata Human Rights Watch tha se arrestimi tregon se askush nuk është mbi ligjin. Drejtori i programit për drejtësi ndërkombëtare pranë kësaj organizate, Riçard Diker e cilësoi Mlladiçin si “personifikim i brutalitetit” në luftrat ballkanike.

Zoti Diker tha se nuk kishte diskutim që Mlladiçi kishte një rrjet mbështetjeje në Serbi dhe kujtoi ish-kryeministrin Zoran Gjingjiç që u vra në vitin 2003, si rezultat i një fushate kundër figurave kriminale dhe përkrahësve të tyre.

Ai shprehu shpresën se me arrestimin e Mlladiçit, qeveria e Tadiçit mund ta udhëheqë Serbinë drejt të ardhmes evropiane:

"Ky është një hap tepër i rëndësishëm për të ndihmuar Serbinë të realizojë tranzicionin nga tmerret e epokës së Millosheviçit drejt një integrimi të plotë në Evropë dhe të bëhet një shtet ku respektohen sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut”.

Daniel Server ishte i dërguari i Departamentit të Shtetit në Bosnje në kohën e masakrës së Srebrenicës dhe tani është analist politik. Ai e cilësoi arrestimin një zhvillim shumë të mirëpritur për qeverinë serbe, që përkon me vizitën në Serbi të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Kathrin Ashton dhe pak ditë para një raporti nga gjykata e Hagës mbi bashkëpunimin e Serbisë.


Zoti Server thotë se arrestimi forcon pozitën politike të Presidentit Tadiç dhe shton se shpreson që zoti Tadiç do ta shfrytëzojë këtë moment për të reformuar shërbimin e sigurimit në vend:

"Ky zhvillim forcon pozitën e Tadiçit në Serbi. Shpresoj që ai do ta shfrytëzojë këtë forcë të re, ashtu siç ka sinjalizuar, për të kërkuar ata që e ndihmonin Mlladiçin në Serbi për të pastruar shërbimet e sigurimit, të cilat pak a shumë nuk janë reformuar që nga koha e rënies së Millosheviçit”.

Riçard Diker i organizatës Human Rights Watch thotë se çështja e krimeve të luftës mbetet ende e hapur, pasi i akuzuari për krime lufte, serbi i Kroacisë Goran Haxhiç nuk është kapur ende. Ai akuzohet për krime lufte për rolin e tij në persekutimin e civilëve kroatë dhe civilëve të tjerë joserbë në fillim të viteve 1990 në rajonin e kontrolluar nga kryengritësit serbë në Kroaci.