Kryeministri polak: Raporti rus për rrëzimin e aeroplanit i papranueshëm

  • Zëri Amerikës

Kryeministri polak: Raporti rus për rrëzimin e aeroplanit i papranueshëm

Kryeministri polak Donald Tusk thotë se raporti rus mbi rrëzimin e aeroplanit në muajin prill ku humbi jetën presidenti polak, është i papranueshëm.

Si Polonia ashtu edhe Rusia kanë zhvilluar hetime rreth rrëzimit të aeroplanit me 10 prill gjatë një moti me mjegull të dendur në Smolensk të Rusisë. Në këtë tragjedi humbën jetën presidenti polak Lech Kaczynki dhe 95 të tjerë.

Zoti Tusk, i cili po merr pjesë në takimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, tha sot se raporti rus përmbante gabime dhe dështoi të merrte në konsideratë sugjerimet polake mbi hetimet.

Ai nuk dha detaje mbi raportin rus por tha se mungesat në raport çuan në konkluzione të pabaza.

Media polake thotë se hetuesit rusë kanë fajësuar kryesisht pilotin që kishte vendosur të ulë aeroplanin në një mot me mjegull të dendur. Por në Poloni ka sugjerime se personeli i aeroportit rus kishte bërë gjithashtu gabime.

Zoti Kaczynski, gruaja e tij dhe të tjerë po shkonin për të marrë pjesë në një ceremoni që kujtonte masakrën e vitit 1940 në Katyn, ku më shumë se 20 mijë oficerë polakë u ekzekutuan nga policia sekrete sovjetike.