Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Faith, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se trevjetori i pavarësisë e gjen Kosovën me shumë të arritura por edhe me dështime, duke numëruar vështirësitë në veriun e Kosovës dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zoti Faith thotë se veriu do të jetë pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por hedh poshtë çdo mundësi të përfshirjes së çështjes së statusit dhe tërësisë tokësore të saj në ato bisedime. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Faith flet edhe për procesin e krijimit të institucioneve të reja në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Zoti Faith, ju u keni bërë thirrje udhëheqësve politik të Kosovës për krijimin e një qeverie siç keni thënë, me një integritet të lartë moral. A jeni I kënaqur me marrëveshjen e arritur ndërmjet PDK-së dhe AKR-së?
Pieter Faith: Mendoj që para se të jap ndonjë gjykim, i takon Parlamentit të shqyrtojë propozimin për formimin e qeverisë dhe ne do të presim që të shohim se çfarë do të dalë nga ky proces. Në këtë fazë, ajo çfarë di unë, është se dy parti shqiptare janë në procesin e themelimit të koalicionit qeverisës plus partitë e pakicave. Nuk I di emrat e ministrave, por e di se këto dy parti kanë arritur një marrëveshje. Është po ashtu shumë e rëndësishme që të mos flitet vetëm për emrat por për politikën që do të ndiqet nga qeveria në të ardhmen. Janë disa çështje të rëndësishme për të cilat partitë duhet të merren vesh.
Zëri i Amerikës: Zoti Faith, me lejoni që të jem i drejtpërdrejtë. A është I pranueshëm zoti Behgjet Pacolli për president të Kosovës?
Pieter Faith: Dua të shoh çfarë do të ndodhë në Parlament. Nuk më takon mua të jap ndonjë gjykim.
Zëri i Amerikës: A është funksionale kjo qeveri që do të krijohet nga këto parti politike?
Pieter Faith: Nëse i shihni numrat, mund të jetë qeveri me mbështetjen e nevojshme në parlament. Ndoshta dikush do të dëshironte një koalicion më të gjerë, por duke pasur parasysh qëndrimet e udhëheqësve të partive të tjera, ky ishte rezultati më realist.
Zëri i Amerikës: Zoti Faith, sot mbushen tri vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Si do t’i vlerësonit ju, si do t’i përmblidhnit ju të arriturat por edhe dështimet gjatë kësaj periudhe?
Pieter Faith: Mendoj se ka pasur mjaft përparme, posaçërisht në ndërtimin e institucioneve dhe unë do të veçoja institucionet e drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, kemi parë procesin e riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve që është zhvilluar në mënyrë shumë të organizuar. Ndoshta në këtë kategori do të radhisja edhe përparimin e policisë së Kosovës në përpjekjet e saj për sundimin e ligjit. Pastaj sa i përket zbatimit të planit gjithëpërfshirës, menjëherë do të mendoja për decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja, në jug të lumit Ibër, siç janë paraparë në planin e zotit Ahtisaari, ku komuniteti serb ka shumicën. Mendoj se këto janë shenjat pozitive të përparimit. Ne po ashtu kemi disa fusha ku do të dëshironim të shihnim më shumë, siç është veriu, ku do të donim të siguroheshim që të ofrojmë kushte më të mira socio ekonomike dhe shërbime më të mira për qytetarët dhe një gjendje më të mirë të sundimit të ligjit në veriun e Kosovës. Këto janë disa çështje që më vijnë ndërmend.
Zëri i Amerikës: Por, a jeni i kënaqur me luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit që ju e keni nënvizuar shpesh si një nga sfidat përpara institucioneve të Kosovës?
Pieter Faith: Do të doja të kishim bërë më shumë. Ende e ndjej se nuk i kemi përfunduar disa operacione dhe praktika. Ende pres një mënyrë më të mirë të adresimit të prokurimit publik. Ende shpresoj se EULEX-I do të përparojë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por po ashtu e pranoj se është e vështirë. E kam thënë më parë dhe po e them përsëri se Kosova është shoqëri e fshehtësive ku është shumë vështirë të gjesh dëshmitarë. Kjo është një çështje me të cilën EULEX-I po përballet. Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë çështje të vlerësimeve të Bashkimit Evropian për qeverisjen në Kosovë, prandaj mendoj se është me rëndësi që përpjekjet e autoriteteve për t’u përballur me këto çështje duhet të dyfishohen.
Zëri i Amerikës: Një nga detyrat që ndodhen para qeverisë së re të Kosovës është dialogu me Beogradin mbi ato që janë quajtur çështje teknike të interesit të përbashkët. Sa urgjente e shihni ju fillimin e këtij dialogu?
Pieter Faith: Mendoj se është pikëpamje e Brukselit dhe ekipit të baroneshës Ashton që dialogu të fillojë sa më parë që është e mundur. Tash kur presim që të krijohet qeveria e re në ditët e ardhshme, mendoj se dialogu do të fillojë shpejt dhe Brukseli do të ftojë Beogradin dhe Prishtinën që të takohen së shpejti.
Zëri i Amerikës: Sa herë që flitet për dialogun, çështja e veriut të Kosovës është e pashmangshme, Beogradi e sheh veriun si një prej çështjeve për të cilat duhet diskutuar përfshirë madje edhe një status të veçantë, ndërsa Prishtina gjithmonë e ka hedhur poshtë një gjë të tillë. Ju si e shihni rrjedhën e këtij dialogu?
Pieter Faith: Si përfaqësues civil ndërkombëtarë, përgjigja ime është Po. Veriu sigurisht do të jetë pjesë e dialogut, por jo si çështje e rihapjes së çështjes së statusit, apo të vënies në pikëpyetje të tërësisë tokësore të Kosovës. Por, janë një numër çështjesh që kanë të bëjnë me veriun e të cilat duhet të zgjidhen dhe ku me një qasje pozitive të të dyja palëve mund të bëhen përmirësime për qytetarët që jetojnë atje.
Zëri i Amerikës: Por, si do të mbetet çështja e veriut? Një status i posaçëm? Një konflikt I ngrirë? Apo, cila mund të jetë e ardhmja e asaj pjese sipas pikëpamjes suaj?
Pieter Faith: Duke folur sërish si përfaqësues civil ndërkombëtarë, janë tri gjëra që duhet të shmangen me çdo kusht. E para është të shmanget ndarja. E dyta është ajo që thatë ju, që veriu të përfundojë si konflikti ngrirë dhe e treta të shmanget dhuna që mund të shpërthejë si rezultat i përpjekjeve për ndryshimin e situatës. Ndryshimi është i domosdoshëm, meqë status quoja nuk është e qëndrueshme në veri. Ajo që do të donim të shihnim është që si rezultat i forcimit të sundimit të ligjit, të forcojmë sigurinë për njerëzit. Që të shohim sërish mbledhjen e taksave nga doganat që do të ishin me përfitim edhe për Serbinë edhe për Kosovën, që të hapen gjykatat. Mbase, çka është më e rëndësishmja që t’i japim më shumë frymë shoqërisë civile dhe forcave që aspirojnë ndryshimet demokratike. Ka shumë frikësim në veri.
Zëri i Amerikës: Por, zoti Faith, a ka dështuar në tërësi strategjia që është hartuar prej jush dhe qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e çështjes së veriut?
Pieter Faith: Jo. Ajo nuk ka arritur aq përparim sa do të donim, siç e thashë më parë, por synimi për të bashkuar shumë procese që do të sillnin përmirësime për qytetarët në veri është ende i vlefshëm. Ne kemi nevojë për EULEX-in që të punojë më shumë për forcimin e sundimit të ligjit, për Komisionin Evropian, USAID-in dhe organizatat tjera bujare që të punojnë bashkë me qeverinë e Kosovës për përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike. Kemi nevojë që qeveria të ofrojë burimet e saj ashtu sikundër ka bërë për këtë qëllim. Duhet të shohim zgjedhje edhe në Mitrovicën e veriut, sikundër është paraparë në planin gjithëpërfshirës, sepse në një të ardhme do të jetë e dëshirueshme për komunitetin serb që të kenë komunën e tyre ne veriun e Mitrovicës dhe një administratë të ligjshme që do të zëvendësojë administratën e Kombeve të Bashkuara në Mitrovicë. Për të gjitha këto arsye, qasja gjithëpërfshirëse mbetet e vlefshme. Ajo ka pësuar vonesa, kjo është e vërtetë, por do të doja të tërheq vërejtjen se tërë kjo mund të përfitoje nga dialogu I suksesshëm. Dialogu mund të përfshijë edhe Beogradin për aq sa ai dëshiron të bashkëpunojë për të përmbushur këto qëllime. Pra, përpjekjet e qeverisë, zbatimi i planit të Ahtisaarit, dialogu dhe përpjekjet e Beogradit duhet të përfshihen në një proces harmonik që mund të na afrojë me atë që duam.
Zëri i Amerikës: Zoti Faith, ju keni thënë se imazhi I Kosovës është i dëmtuar kohëve të fundit, në veçanti pas raportit të zotit Dick Marty. A e dëmton pozicionin e Kosovës në dialogun me Beogradin kjo gjendje?
Pieter Faith: Jo nuk e besoj. Por, Imazhi i Kosovës nuk varet vetëm nga raporti I Dick Martyt, ai ka të bëjë po ashtu edhe me zgjedhjet që ishin mjaft problematike dhe kundërthënëse. Ka të bëjë edhe me dobësitë e identifikuara nga Komisioni Evropian në raportin e progresit. Por, sipas pikëpamjes sime, këto nuk do të duhej të ndikonin në pozicionin e Kosovës në dialog dhe në mundësitë për të arritur synimet e saj. Këto janë vijat e kaltra si një dallim nga vijat e kuqe. Vijat e kaltra janë ato që Kosova duhet të synojë, ndërsa të kuqet ato që duhet të shmangen. Sapo të jetë themeluar qeveria ajo duhet të angazhohet dhe ka mundësi të mira që të përmbushë synimet e saj.
Zëri i Amerikës: A ka qasje të drejtë qeveria në Kosovë përballë këtij raporti?
Pieter Faith: Po, mendoj se deklaratat e fundit më japin shpresë se qeveria do të jetë e hapur dhe bashkëpunuese. E para që duhet të shohim është që zoti Marty të ofrojë provat dhe faktet. Qeveria ka bërë deklaratat dhe veprimet e duhura Por, kjo është një çështje më e thellë sesa ajo që thotë qeveria, e kjo është ndryshimi I shoqërisë që ne po e kërkojmë, një shoqëri më pak e fshehtë, më e hapur e cila do të përballet me përgjegjësi individuale. Sqarimi i së kaluarës nënkupton ecje drejt ripajtimit me komunitetet tjera.