Pakistan, një autobombë shkatërron një ndërtesë të policisë, 15 të vrarë

  • Zëri Amerikës

Pakistan, një autobombë shkatërron një ndërtesë të policisë, 15 të vrarë

Zyrtarët në Pakistan thanë se një autobombë masive shkatërroi një ndërtesë të policisë në qytetin më të madh të vendit, Karaçi duke vrarë të paktën 15 persona.

Zyrtarët thanë se militantë të dyshuar hapën fillimisht zjarr para se të shpërthenin një bombë e cila shembi zyrat qëndrore të Departamentit të Hetimeve Kriminale.

Forca e shpërthimit krijoi një re të madhe dhe shkatërroi disa ndërtesa dhe makina në një nga zonat me siguri më të lartë në Karaçi, ku ndodhet edhe konsullata amerikane.

Të paktën 90 persona u plagosën gjatë sulmit.

Pamjet e transmetuara në televizion tregojnë ekipet e shpëtimit që nxjerrin viktima nga rrënojat.

Në veri të vendit, zyrtarët pakistanezë të zbulimit thanë se një sulm amerikan me raketa sot vrau të paktën gjashtë militantë të dyshuar ndërsa po ktheheshin në Pakistan nga Afganistani fqinj.

Zyrtarët thanë se një avion pa pilot qëlloi me raketa një shtëpi në rajonin fisnor të Vaziristanit verior, vetëm disa kilometra larg kufirit afgan.