Xhorxh Miçëll, i dërguari i Presidentit Obama për Lindjen e Mesme jep dorëheqjen

  • Dan Robinson

Xhorxh Miçëll, i dërguari i Presidentit Obama për Lindjen e Mesme jep dorëheqjen

Presidenti amerikan Barak Obama ka njoftuar dorëheqjen e të dërguarit të tij për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçëll, i cili ka punuar për më shumë se dy vjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve. Në një deklaratë dje, Presidenti Obama thotë se zoti Miçëll mori mbi vete një punë shumë të vështirë dhe i kushtoi orë të panumërta për të çuar përpara interesat e Amerikës dhe kauzën e paqes. Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj misionit të Senatorit Xhorxh Miçëll për të arritur paqe në rajon.

Ish-senatori amerikan Xhorxh Miçell, i njohur ndër të tjera për rolin e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjeve të paqes në Irlandën e Veriut, ishte i emëruari i parë i Presidentit Obama në janar 2009.

Në një letër të shkurtër në adresë të presidentit, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, ai vë në dukje se gjithmonë e kishte pasur në plan ta kryente këtë rol vetëm për 2 vjet, duke shtuar se mbështeste fort vizionin e Presidentit Obama për paqe të përgjithshme në Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë me shkrim, presidenti Obama lavdëronte zotin Miçell si një veprimtar i palodhur për paqe dhe thoshte se “angazhimi i tij i thellë për zgjidhjen e konfliktit dhe forcimin e demokracisë kanë kontribuuar shumë në përpjekjet për objektivin që dy shtete të ekzitojnë pranë njëri-tjetrit në paqe dhe siguri”.

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj paqes në Lindjen e Mesme dhe përparimit bazuar mbi punën e zotit Miçell për të arritur atë synim. Presidenti tha se Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton i kishte kërkuar zëvendës të dërguarit për Lindjen e Mesme, Dejvid Hejl të shërbente si ndërmjetësues në detyrë.

Shtëpia e Bardhë publikoi gjithashtu deklaratën e Sekretares Klinton, ku vlerësohej zoti Miçell që kishte marrë mbi vete sfida të vështira dhe thuhej se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë angazhimet e tij për të arritur një paqe të përgjithshme në Lindjen e Mesme”.

Pas një prezantimi të bujshëm të misionit të tij vitin e kaluar, presidenti Obama dhe zoti Miçell kishin ndeshur në një realitet tensionues si rezultat i mungesës së përparimit. Izraelitët dhe palestinezët zhvilluan për pak kohë negociata të drejtpërdrejta, por këto bisedime u ndërprenë pas përplasjeve lidhur me ngritjen e vendbanimeve hebraike në Jeruzalemin lindor.

Dorëheqja e zotit Miçell ndodh një javë para se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu të vizitojë Uashingtonin. Ai do të takohet me Presidentin Obama të premten e ardhshme dhe do të mbajë një fjalim para Kongresit po gjatë kësaj vizite.

Vazhdojnë spekulimet nëse zoti Netanjahu do ta shfrytëzojë fjalimin drejtuar ligjvënësve amerikanë për të paraqitur ndonjë propozim të ri të rëndësishëm për ringjalljen e bisedimeve të paqes me palestinezët.

Media izraelite dhe grupe të tjera mediatike kanë thënë se gjasat për një propozim të tillë janë më të pakta që pas marrëveshjes së ripajtimit mes Autoritetit Palestinez dhe Hamasit.

Presidenti Obama do të takohet të martën e ardhshme me një tjetër figurë të rëndësishme në përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme, Mbretin Abdullah të Jordanisë.

Të enjten, presidenti do të mbajë një fjalim të rëndësishëm lidhur me Lindjen e Mesme dhe kryengritjet popullore që përfshinë rajonin me thirrjet për ndryshime politike, si dhe reagimin e ashpër të autoriteteve në vende si Siria dhe Jemeni.

Fjalimi i zotit Obama do të mbahet nga Departamenti i Shtetit një ditë para bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.

Nuk ka pasur komente nga Shtëpia e Bardhë lidhur me ato që do të thotë Presidenti Obama në fjalimin e tij mbi përpjekjet për paqe mes izrealitëve dhe palestinezëve.