Disidenti i burgosur kinez Liu Siaobo është fitues i çmimit Nobel të paqes për vitin 2010 për “luftën e tij të gjatë dhe paqësore për të drejtat themelore të njeriut në Kinë”.
Politikanë, udhëheqës të besimeve fetare dhe të të drejtave të njeriut anembanë botës e mirëpritën këtë njoftim, duke thënë se ky çmim mbështet betejën për liri dhe të drejtat e njeriut. Mjaft prej tyre i bënë thirrje qeverisë kineze që ta lirojë zotin Liu.
Komisioni i çmimeve Nobel në Oslo e njoftoi çmimin sot, duke thënë se "ka besuar prej kohësh se ekziston një lidhje e ngushtë mes të drejtave të njeriut dhe paqes".
Presidenti amerikan Barak Obama e përshkroi zotin Liu si zëdhënës elokuent dhe kurajoz që kishte sakrifikuar lirinë për bindjet e tij.
Bashkëshortja e Liu-t publikoi një njoftim për shtyp, ku e përshkruante çmimin si një “nder të vërtetë”, dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë presion ndaj qeverisë kineze për lirimin e bashkëshortit të saj.
Kina reagoi duke e akuzuar komisionin e çmimeve Nobel se po nderonte një kriminel.