Maqedoni: Protesta kundër planeve të qeverisë për regjistrimin e popullsisë

  • Isak Ramadani

Maqedoni: Protesta kundër planeve të qeverisë për regjistrimin e popullsisë

Partia Demokracia e Re mbajti të dielën një protestë para Parlamentit të Maqedonisë për të shprehur mospajtimin lidhur me planet e qeverisë që regjistrimi i popullatës të mbahet në muajin prill të vitit të ardhëshëm. Partia kërkon me ngulm që regjistrimi të bëhet në muajin korrik kur emigrantët shqiptarë zakonisht kthehen për pushime në vendlindje.

Demokracia e Re mendon se nëse regjistrimi bëhet në prill atëherë numri i shqiptarëve në Maqedoni do të dalë shumë më i vogël me që dhjetra mijë shqiptarë punojnë nëpër vende të Evropës perëndimore dhe ata nuk mund të vijnë vetëm sa për t’u regjistruar në pranverë.

Imer Selmani i Demokracisë së Re e fajëson Bashkimin Demokratik për Integrim në qeveri për politikën antishqiptare, sipas tij.

Përkahës të Demokracisë së Re kishin ardhur të organizuar me autobusë nga vise të banuara me shqiptarë të Maqedonisë për të kundërshtuar planin, sipas tyre, të lënies mënjanë të mërgimtarëve shqiptarë nga regjistrimi i popullatës.

Por, Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se të gjithë do të regjistrohen dhe se procesi do të jetë real, ndërkohë që u bën thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në mënyrë masive në regjistrim. Në të kundërtën, nëse regjistrimi bojkotohet nga shqiptarët atëherë mund të ketë rrezik për manipulime me shifrën e shqiptarëve në Maqedoni, thekson Bashkimi Demokratik për Integrim.

Edhe sipas ekspertëve ndërkombëtarë muaji prill është më i përshtatshëm për regjistrimin e popullatës.

Numri i shqiptarëve prej vitesh ka qenë i debatueshëm në Maqedoni. Sipas statistikave të fundit zyrtare ata përbëjnë 25.1% të popullatës së përgjithme të Maqedonisë.