Misioni I Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë, bëri të ditur arrestimin e dy personave nën dyshimet për përfshirje në krime lufte.
Në një njoftim të këtij misioni thuhet se sot në rajonin e Prizrenit në Kosovën perëndimore janë arrestuar dy shqiptarë të Kosovës në siç thuhet “kuadrin e disa hetimeve në vazhdim që kanë të bëjnë me krime të luftës”.
Në njoftim thuhet se “akuzat ndërlidhen me ushtrimin e masave të kërcënimit dhe terrorit; zhvendosjen e popullatës civile, vepra këto të kryera mes datës 17 dhe 19 korrik 1998 në Rahovec dhe në fshatrat përreth”.
Identiteti i të arrestuarve nuk është bërë i ditur.
Hetimet po zhvillohen nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it, i cili mban përgjegjësinë për trajtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me krimet e luftës.