EULEX: Vukmir Cvetokoviç dënohet me 7 vjet burgim për krime lufte

EULEX: Vukmir Cvetokoviç dënohet me 7 vjet burgim për krime lufte

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë bëri të ditur se një gjykatë në qytetin e Pejës, e dënoi me shtatë vjet heqje lirie një pjesëtar të komunitetit serb nën akuzat për krime të luftës. Vukmir Cvetokoviç, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte pjesëtar i policisë serbe është shpallur fajtor për dëbimin e një familjeje nga komuna e Klinës, duke i urdhëruar ata që të dilnin nga shtëpia e tyre dhe të largoheshin nga qyteti dhe për djegien e shtëpive të dy familjeve në fund të muajit mars të vitit 1999.

Ai është arrestuar në Norvegji dhe në korrik të këtij viti u ishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës.

Procesi ndaj tij është udhëhequr nga prokurorët e EULEX-it, i cili edhe ka përgjegjësitë për trajtimin e çështjeve që janë të bëjnë me krime të luftës.