Kosovë: Përshpejtohen ndryshimet në ligjin e zgjedhjeve

  • Leonat Shehu

Kosovë: Përshpejtohen ndryshimet në ligjin e zgjedhjeve

Autoritetet në Kosovë kanë vendosur të përshpejtojnë procesin e ndryshimeve në ligjin e zgjedhjeve dhe shpresojnë që nesër të hedhin këtë ligj për debat Parlament. Në vitin 2008, Parlamenti i Kosovës kishte miratuar Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, por zgjedhjet lokale të vitit 2009 nxitën shumë kritika, duke shtyrë autoritetet që të fillojnë reformimin e tij. Tërheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike ka bërë që çështja të përshpejtohet, meqë zgjedhjet e përgjithshme tashmë të caktuara për 13 shkurt të vitit 2011 mund të mbahen më herët për shkak të gjendjes së krijuar në vend.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për legjislacion, Bahri Hyseni thotë se ligji i ndryshuar që nesër mund të jetë në Parlament.

“Ligji rrjedh nga Pakoja e Presidentit Ahtisari dhe do ta përdorim procedurën e përshpejtuar që e kemi përdorur edhe për ligjet tjera të cilat i kemi aprovuar përmes kësaj pakoje”, tha zoti Hyseni.

Ndonëse procesi i përshpejtuar i ndryshimeve në ligjin për zgjedhjet nuk ka kaluar pa kritika Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, thotë se ndryshimet janë kushtëzuar nga zhvillimet politike që vendin e çuan në zgjedhje të parakohshme.

“Natyrisht ndryshimi i ligjit nuk është mënyra më e mirë në këtë kohë të cilën është bërë, por dy amendamente bazë që po bëhen në këtë ligj, kompetencat e KZAP-it apo riemërimi i KZAP-it edhe kompetencat në mes KZAP-it dhe KQZ-së do ta ndihmojnë procesin e zgjedhjeve dhe elementi i dytë që është bërë është hapja e listave për pesë kandidat, i cili ka mënjanuar votën e partisë drejt udhëheqësit, do të thotë këto janë dy elemente të rëndësishme që do ta ndihmojnë me siguri procesin”, tha zoti Kryeziu.

Ndryshimet në ligjin për zgjedhjet ndodhin në të njëjtën kohë kur një grup deputetësh po bëjnë përpjekje për të siguruar 40 votat e nevojshme për të paraqitur mocionin votëbesimit për qeverinë aktuale. Nëse kjo nismë përmbushet vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme që duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas rënies që qeverisë. Vëzhguesit thonë se edhe nëse ndodhë kjo parlamenti do të duhej të vazhdonte punën për të miratuar ligjet, të cilat vlerësohen të rëndësishme për zhvillimet e ardhshme, përfshirë ligjin për zgjedhjet si dhe miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.