Gjykata ndërkombëtare për krime lufte në ish Jugosllavi, urdhëroi sot rigjykimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte. Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit 2008 e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj.
Gjykata pranoi ankesën e Prokurorisë e cila ka pohuar se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t’i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të siguronte paraqitjen e dy dëshmitarëve kryesorë të cështjes.
Presidenti i Gjykatës, Patrick Robinson tha se gjykimi i kaluar u shoqërua me kërcënime ndaj dëshmitarëve dhe se gjykata nuk kishte arritur të kuptonte shkallën e rrezikshmërisë së këtyre kërcënimeve.
Në fund të seancës së sotme, gjykata vendosi paraburgimin për zotin Haradinaj dhe dy të akuzuarit e tjerë, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj deri në një vendim tjetër.
Ramush Hardinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit më 8 mars 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars 2007 dhe përfundoi në prill 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat për "trajtim mizor dhe torturë".
Në rigjykimin e pjesshëm data e të cilit ende nuk është caktuar do të trajtohen akuzat për vrasje, trajtim mizor dhe torturim të të burgosurve në shtabin e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë në Kosovën perëndimore.
Mbrojtja e zotit Haradinaj dhe udhëheqja e partisë së tij Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u shprehën të befasuar me vendimin e sotëm të Gjykatës.
Zyrtarët e kësaj partie thanë se “proceset politike në Kosovë, si dhe ato që do të pasojnë në vijim të shpalljes së qëndrimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës do të dëmtohen thellësisht nga vendimi sotëm i gjykatës”.
Ata shprehin bindjen në pafajësinë e zotit Haradinaj duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të tregohen të matur.