Në Kosovë, Paneli Zgjedhor për Ankesa pritet që nesër të dalë me rezultatet e shqyrtimit të parregullsive të pretenduara nga partitë politike ne zgjedhjet parlamentare të së dielës. Ky panel i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve materialet zgjedhore për tri qendra të votimit në Deçan dhe ato të të gjitha vendvotimeve në Drenas dhe Skenderaj.
Çështja e këtyre dy komunave, tradicionalisht të njohura si mbështetëse të Partisë Demokratike të Kosovës është ngritur edhe nga vëzhguesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Rrjetit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve si dhe përfaqësuesit diplomatikë të cilët kanë kërkuar veprime ligjore.
Janë gjithsejt 171 ankesave, të paraqitura nga partitë politike që pretendojnë parregullsi në procesin zgjedhor.
Në rast se subjektet politike nuk do të pajtohen me vendimet e Panelit për ankesa atëherë shkalla e fundit që merr vendim për to është Gjykata e Lartë e Kosovës e cila ka afat 72 orësh për të marrë vendim.
Zyrtarët e Partisë Demokratike që sipas rezultateve paraprake ka fituar zgjedhjet me 33. 5 për qind të votave, kanë bërë thirrje që çështja të trajtohet nga Paneli për ankesa dhe që partitë politike të pranojnë çdo veprim të këtij paneli dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.