Huper: Evropianët të përçarë rreth synimit të Beogradit për ndarjen e Kosovës

Huper: Evropianët të përçarë rreth synimit të Beogradit për ndarjen e Kosovës

Ish diplomati amerikan James Hooper është i bindur se statusi i veriut të Kosovës do të jetë tema kryesore e bisedimeve të paralajmëruara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për çështje teknike të interesit të ndërsjellë. Ish diplomati amerikan i cili qëndroi për disa ditë në Kosovë, i shoqëruar edhe nga ish diplomati Louis Sell, thotë se tash Serbia po kërkon një marrëveshje për Kosovën dhe duke pasur parasysh së ajo shumë rrallë shpreh një gatishmëri të tillë, kjo po nxitë interesimin e kryeqyteteve evropiane dhe të Washingtonit.

Synimi i Serbisë thotë ai është ndarja e Kosovës. “Evropa është e ndarë rreth kësaj çështjeje. Janë disa kryeqytete evropiane që do të mirëprisnin ndarjen e Kosovës, sepse janë më shumë të përqendruara në marrëdhëniet e tyre me Serbinë dhe e konsiderojnë Kosovën një çështje më të vogël”.

Këto kryeqytete thotë zoti Hooper nuk shqetësohen shumë për ndërlikimet që mund të shkaktojë një zhvillim i tillë i ngjarjeve. “Kjo nuk është pikëpamje e Shteteve të Bashkuara dhe qeveria amerikanë është e vendosur në qëndrimin e saj për të shmangur çdo diskutimet për çfarëdo ndarjeje, diskutimet për ndryshim kufijsh apo çfarëdo diskutimi për statusin e Kosovës”.

Ndarjen e cilëson si të papranueshme edhe ish diplomati tjetër amerikan Louis Sell i cili thotë se gjendja në veri është trashëgimi e qasjes së gabuar ndërkombëtare. “Kjo është rezultat i dështimit të komunitetit ndërkombëtarë, një dështim që shkon prapa në vitin 1999. Një gjendje që ata ishin të pafuqishëm apo nuk kishin vullnet për ta zgjidhur. Kjo çoi në një gjendje që nuk është e mirë për askënd, as për njerëzit që jetojnë në veri, për qytetarët e Kosovës dhe as për rajonin. Kjo duhet të zgjidhet duke u bazuar në respektimin e plotë të pavarësie dhe tërësisë tokësore të Kosovës”.

Gjendja në atë pjesë thotë zoti Sell nuk është në të mirë as të vet ardhmërisë së Serbisë. “Mendoj se Beogradi ka luajtur një rol fatkeq duke mbështetur strukturat paralele gjë që nuk është e mirë për vetë serbët në Kosovë e as për qëndrueshmërinë afatgjate të Serbisë”.

Të dy diplomatët tërheqin vërejtjen se të dyja vendet duhet të zgjidhin problemet e përbashkëta dhe të përqendrohen në përmbushjen e kritereve për integrimet evropiane, që janë synim i të dyja palëve. Zoti Hooper thotë se integrimi në Bashkimin Evropian duhet të ndodhë në të njëjtën kohë. “Është shumë e rrezikshme që Serbia të integrohet më herët sesa Kosova meqë kjo do të kishte ndërlikime për mundësitë që Kosova t’i bashkëngjitet Bashkimit Evropian”.

Të dy diplomatët thonë se prania ndërkombëtarë në Kosovë duhet të kryejë punët në veri atje ku qeveria e vendit ka shumë kufizime, ndërsa duhet t’i kalojë përgjegjësitë tej autoritetet e vendit dhe t’u kërkojë atyre llogari në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.