Pacolli: E vetmja zgjidhje e problemit në veri është përjashtimi i dhunës

Pacolli: E vetmja zgjidhje e problemit në veri është përjashtimi i dhunës

Më 12 dhjetor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Rreth 30 subjekte politike me mbi 1 mijë e 300 kandidat janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zëri i Amerikës ka filluar një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë për programin televiziv Ditari, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, thotë se integrimi i veriut të Kosovës duhet të bëhet nëpërmjet veprimeve ekonomike duke paralajmëruar se do të shpallë Mitrovicën zonë të lirë ekonomike. Zoti Pacolli përjashton përdorimin e dhunës për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, si po hyn partia juaj në këto zgjedhje, duke pasur parasysh se ato janë të jashtëzakonshme dhe organizimi i tyre pasoi zhvillime interesante në skenën politike të Kosovës?

Behgjet Pacolli: Sigurisht pas rënies së qeverisë, kemi arritur tek zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 12 dhjetor. AKR-ja tash është si lokomotivë edhe e tetë partive tjera të cilat janë rreshtuar pas AKR-së me moton Koalicioni për Kosovë të Re, që përfshinë njerëz të ndershëm, njerëz që nuk kanë qenë të përlyer me kurrfarë skandali dhe që kanë vullnet për të punuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, por përse duhet qytetari i Kosovës të votojë për këtë që ju e quani lokomotiva juaj? Cilat janë ofertat tuaja kryesore për të?

Behgjet Pacolli: Kemi një program unik. Një program që flet për interesat e qytetarit të Kosovës. Program ky që mbështetet në katër pika, katër shtylla. Shtylla e parë është ekonomia dhe zhvillimi ekonomik në të gjitha fushat. Shtylla e dytë është ruajtja e vlerave etike – morale të shoqërisë. Shtylla e tretë është shtrirja e sovranitetit në çdo cep të Kosovës me veprime ekonomike. Pika e katërtë është globalizimi i Kosovës. Kosova e ka vendin aty ku janë të radhitura të gjitha shoqëritë e civilizuara.

Zëri i Amerikës: Më lejoni të kthehem tek pika e parë që është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës që në Kosovë vlerësohet si një prej kërkesave më kryesore dhe më të rëndësishme. Si do t’i realizoni këto? Ju keni premtuar madje edhe disa qindra mijëra vende pune. Si do t’i realizoni ato?

Behgjet Pacolli: Sigurisht, sigurisht po. Kemi përpunuar një program ekonomik ku do t’i garantojmë qytetarit të Kosovës rritje ekonomike mbi 7 për qind. Duke e rritur ekonomikë prej pozitës së tashme që është diku 4 për qind në 7 deri 8 për qind, krijohet mundësia që të krijohen nga 30 mijë vende të punës çdo vit. Do të kemi rritje të buxhetit, gradual nga 30 për qind për çdo vit. Kështu që do të krijohen mundësi që të intervenojmë drejtpërsëdrejti edhe në gjendjen sociale, gjendje kjo shumë e rëndë për qytetarin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Cilët do të jenë ata sektorë ku ju do të hapni vende pune, sepse premtime të tilla bëjnë edhe partitë e tjera politike?

Behgjet Pacolli: Unë thashë se shtylla e tretë është shtrirja e sovranitetit të Kosovës në cdo cep të Kosovës. Kemi paraparë krijimin e dy zonave të lira: një në Mitrovicë, që ka edhe karakterin politik, normalisht. Dhe një në Gjakovë për shkak të fabrikave të Gjakovës që janë tani jashtë funksionit. Me krijimin e këtyre dy zonave të lira ekonomike, të dëshmuara me normat ndërkombëtare, në do të krijojmë mundësi të reja për investime të huaja. Unë e di se kemi shumë të interesuar nga perëndimi që të vijnë dhe të instalohen me fabrikat, me prodhimtarit e tyre. Ne tentojmë të zëvendësojmë, pak a shumë, funksionin e Kinës që është duke luajtur për eksportin e mallrave të tyre nga Kina, me shumë vështirësi dhe me një kualitet e dimë si. Në Kosovë do të ketë mundësi të tërheqim investime të huaja, të krijojmë vende të punës dhe t’u garantohet investitorëve një platformë ligjore dinjitoze, e mbrojtur ndoshta edhe nga ligjet dhe normat për shkak të prezencës ndërkombëtare këtu në Kosovë dhe me këtë do të krijojmë mundësi të reja për të rinjtë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, më lejoni të kthehem tek një çështje që ka të bëjë me sovranitetin e Kosovës, që e përmendët edhe ju dhe kur përmendet ky mendohet menjëherë në veriun e saj, që është një problem që ju thatë ekonomik, por është edhe problem politik. Si mendoni ta tejkaloni këtë?

Behgjet Pacolli: Po, ky është problem i madh. Para tri viteve unë ka pasur një intervistë me Zërin e Amerikës, ku kam insistuar që të ketë bisedime. Edhe pse jam kritikuar prej oponentëve të mi politik atëherë, sot është realitet që bisedimet do të fillojnë sa më shpejt. Por, unë besoj se bisedimet nuk do të sjellin ato rezultate të cilat do t’i sillte veprimi ekonomik. Me një zonë të lirë ekonomike dhe me bisedimet paralele, ne do të arrijmë tek suksesi sa më parë që të kemi një atmosferë punuese, të favorshme që shkon në favor të zgjidhjes së problemit. Dhe jam i bindur se Serbia është jashtëzakonisht e interesuar në këtë. Serbia është e interesuar për zgjidhjen e problemit për shkak interesave të saj për hyrjen sa më shpejt në shtëpinë e madhe të BE-së. Interesi i Kosovës do të jetë edhe më i madh që të bëhen këto bisedime. Kemi shumë probleme të pazgjidhura me Serbinë dhe këto do të ndodhin. Mirëpo, ne bisedimeve do t’u ndihmojmë drejtpërsëdrejti me veprime ekonomike, si p.sh, deklarimin e Mitrovicës si zonë të lirë ekonomike ku do të pamundësohen veprimet e bandave që sot pengojnë edhe rendin edhe ekonominë e Kosovës. Zona e lirë ekonomike do të ketë një kufi të vetin, jo tani politik, por ekonomik dhe atëherë do t’u pamundësohet bandave të ndryshme dhe krimeve ekonomike që të veprojnë. Do të hyjë çdo gjë në atë zonë të lirë ekonomike normalisht. Mirëpo, kur del prej asaj zone të lirë ekonomike, atëherë çdo gjë do të kontrollohet nga ana e Kosovës. Sa do të kontrollohet nga Serbia, është punë e tyre.

Zëri i Amerikës: Dhe mendoni se në Serbi ka gatishmëri për një gjë të tillë? Nuk ka ajo pretendime territoriale për veriun e Kosovës?

Behgjet Pacolli: Ata do të kenë pretendime territoriale. Një është e sigurt. Kosova ka shpallë pavarësinë. Kosova tani nuk merr pjesë në bisedime si Prishtinë, apo si një grup i shqiptarëve, por merr pjesë si shtet i dëshmuar, si shtet i pavarur, sovran dhe kjo është shumë me rëndësi. Serbia e ka të qartë këtë dhe jam i bindur se çdo gjë do të shkojë në rregull nëse nga ana tjetër do të kemi veprime ekonomike, do të kemi rezultate ekonomike, ku qytetarëve të veriut, pa marrë parasysh a janë serb a shqiptarë, t’u garantohet një ardhmëri e qëndrueshme, t’u krijohen vende të punës dhe atëherë çdo gjë do të jetë shumë më lehtë për zgjidhjen e problemit që tani është jashtëzakonisht i madh.

Zëri i Amerikës: Mendoni se ju mund ta bëni më atraktive Kosovën për serbët sesa që Beogradi mund ta bëjë Serbinë për ta?

Behgjet Pacolli: Ne e dimë se Serbia i ka problemet e veta ekonomike. Ne do ta bëjmë këtë shumë më atraktive. E kur flasim për një zonë të lirë ekonomike në të cilën unë insistoj, ajo zonë e lirë ekonomike do të ketë përparësitë e veta, do të ketë vende të punës, do të ketë qarkullim edhe të njerëzve, ideve, të kapitalit. Ajo do të jetë absolutisht e mundur dhe unë besoj se kjo zonë e lirë ekonomike nuk do të jetë atraktive vetëm për serbët, gjegjësisht popullatën që jeton në atë zonë, por do të jetë edhe për viset e jugut të Serbisë edhe për krejt Kosovën. Unë insistoj në këtë dhe insistoj prapë t’u them se e vetmja zgjidhje e problemit në veri është përjashtimi i dhunës. Bisedat konstante me Serbinë dhe veprimet ekonomike.

Zëri i Amerikës: Për t’i bërë këto duhet një qeveri. Në Kosovë, raportet e forcave kanë dëshmuar se një parti nuk e bënë dot e vetme qeverinë? Me kë do të hynit në një koalicion të mundshëm?

Behgjet Pacolli: Koalicioni për Kosovë të re tani është shumë komplet me njerëz të sinqertë, më njerëz profesionist dhe mund të formojë qeveri duke pasur parasysh se ne duhet të bashkëpunojmë edhe me të tjerët. Së pari ju them se nuk kemi vija të kuqe për partitë politike. I konsiderojmë ato. Por, ne do të kemi vija të kuqe për njerëzit që do të bashkëpunojnë me ne. Ekzistojnë kriteret që kemi vu për njerëzit që do të bashkëpunojnë me ne. Ata duhet të jenë profesionist, ata duhet të kenë vullnet të punojnë për interesat e qytetarit, e jo për interesat personale, klanore, partiake. Dhe ata njerëz nuk duhet të jenë të përlyer në asnjë skandal dhe opinioni publik duhet të jetë praktikisht i pastër për këta njerëz.