Thaçi: Javën që vjen bisedimet për qeverinë e re

  • Leonat Shehu

Thaçi: Javën që vjen bisedimet për qeverinë e re

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se zvarritja e procesit zgjedhor ishte arsyeja e mospërmbushjes së zotimeve për të paguar pagat e reja të rritura për punonjësit e sektorit publik. Ai i bëri këto komente pas një ceremonie të nënshkrimit të një marrëveshjeje në vlerë prej 63.9 milionë eurosh me Komisionin Evropian, në kuadër të Programit për Para-Anëtarësim.

http://www.youtube.com/embed/tqJWJw_86v4

Kryeministri Thaçi tha se vendimi për rritjen e pagave është në fuqi dhe ai do të zbatohet menjëherë pas miratimit të buxhetit të këtij viti. Moszbatimi i këtij vendimi nxiti shumë reagime në Kosovë, ku organizatat sindikale paralajmëruan protesta muajin që vjen, ndërsa partitë politike kritikuan qeverinë në largim për premtime paraelektorale pa mbulesë. Kryeministri Thaçi tha se faji qëndron tek ata që e kanë zvarritur procesin zgjedhor dhe kanë ngadalësuar krijimin e institucioneve.

“Kisha planifikuar ndërtimin e institucioneve në muajin janar, stërzgjatja e procesit elektoral ka qenë faktori vendimtar. Ai vendim është në fuqi dhe njerëzit do t'i marrin pagat me miratimin e buxhetit në Kuvendin e Kosovës. Kjo është përgjegjësi e gjithë spektrit politikë, sa më parë të mblidhet kuvendi, miratohet buxheti dhe njerëzit marrin pagat e tyre. Këtë drejtim, shpreh keqardhje edhe personale, shpreh edhe mllefin tim për këtë vonesë të panevojshme dhe mund të them vendimin e ndikuar direkt në Gjykatën Supreme për rivotim në Mitrovicë”, tha kryeministri Thaçi.

Ai tha se ka marrë një mandat të qartë për luajtur rolin e faktorit bashkues në vend në cilësinë e kryeministrit të ri të Kosovës dhe se nga e hëna do të fillojë bisedat me forcat e tjera politike për krijimin e siç tha ai një qeverie shumë përfshirëse dhe shumetnike. Zoti Thaçi tha se partia e tij ka siguruar numrin e mjaftueshëm të deputetëve për krijimin e qeverisë së re të Kosovës në një afat shumë të shkurtër.

“Synimi im është dhe me besim të plotë do të them që procesi i ndërtimit të institucioneve të përmbyllet para tre vjetorit të kremtimit të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Prandaj, ajo kontratë e imja me qytetarët vazhdon”, tha ai.

Por, as sot kryeministri Thaçi nuk shpalosi më shumë hollësi rreth partnerëve të mundshëm të koalicionit të ri qeverisës. Aktualisht më të përvijuarat mbeten mundësitë që qeveria e re të përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por në tryezë është hedhur edhe mundësia që pjesë e qeverisë të jetë edhe Aleanca Kosova e Re.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do që të mbetet në opozitë, ndërsa një qëndrim të prerë për të qëndruar jashtë strukturave qeveritare e ka shfaqur edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kryeministri Thaçi, tha sot se Kosova është e angazhuar për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët përfshirë edhe Serbinë, me të cilën pas institucioneve mund të pritet fillimi i bisedimeve për çështjet e interesit të përbashkët dhe për t’i dhënë fund siç tha ai kapitullit të dhunës dhe errësirës mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të hapur kapitullin e bashkëpunimit dhe integrimeve euroatlantike.