Ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli do të jetë zëvendëskryeministër i Parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky vendim i kryeministri Thaçi u publikua sot, një ditë pas zgjedhjes së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila e trashëgoi në këtë post zotin Pacolli, zgjedhja e të cilit u vlerësua si jo kushtetuese.
http://www.youtube.com/embed/81686D1g0no
Në vendimin e kryeministrit Thaçi thuhet se zëvendësi i tij i parë, zoti Pacolli, do të jetë i ngarkuar i veçantë për marrëdhënie ndërkombëtare për të siguruar njohje të reja për shtetin e Kosovës, si dhe për të sjellë investime të huaja në Kosovë.
Vendimi ishte pjesë e orvatjeve për të krijuar drejtpeshim në koalicionin qeverisës, pas tërheqjes së zotit Pacolli nga kandidatura e tij për postin e presidentit, gjë që mundësoi marrëveshjen me të cilën u sigurua zgjedhja e presidentes dhe u paralajmëruar ndryshimet kushtetuese dhe reforma e sistemit zgjedhor. Parlamenti i Kosovës zgjodhi mbrëmë Atifete Jahjagën në postin e presidentes me 80 vota dhe kjo sipas kryeministrit Hashim Thaçi, është lajm i mirë për historinë e re të Kosovës, që i ka munguar Kosovës, por edhe vendeve në rajon.
“Kjo tregon se Kosova tri vite pas pavarësisë po e zhvillon dhe fuqizon demokracinë, po e kultivon raportin pozitë – opozitë, po merr përgjegjësi të përbashkëta, korrekte dhe konstruktive të ndërsjella. Ky është një model i mirë edhe për rajonin, kjo që ne po e realizojmë në Kosovë”, tha kryeministri Thaçi.
Ai tha se nga dita e djeshme ka filluar një agjendë e reformave dhe qeveria bashkë me opozitën do të ketë një qëndrim të përbashkët për interesat e vendit. Zhvillimet e ditëve të fundit sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuqi, do të çojnë në ndryshime në kabinetin qeverisës, por nuk është e qartë nëse kjo është përmbushur vetëm me emërimin e zotit Pacolli në postin e zëvendëskryeministrit të parë.
“Besoj që në terma më konkrete i bjen që pozita e Presidentit të Republikës që ka qenë më herët si pjesë e marrëveshjes së koalicionit, i ka takuar Aleancës për Kosovën e Re dhe tani nuk është më ajo pozitë që i takon AKR-së dhe do të bëjmë një balancim të ri që nënkupton një barazpeshë brenda për brenda qeverisë”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.
Qeveria e koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike dhe Aleancës Kosova e Re, pasoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar. Zgjedhja e zotit Pacolli në postin e presidentit, si pjesë e këtij koalicioni, nxiti kundërshtime të ashpra të opozitës, bojkoti i së cilës çoi në vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit.
Për më shumë se një javë vendi ishte në udhëkryq, ndërmjet zgjedhjes së presidentit të ri dhe shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme. Këto të fundit u shmangën me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan Christopher Dell, një marrëveshje e cila është kundërshtuar nga lëvizja Vetëvendosje, ndërsa është kritikuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës por edhe nga përfaqësues të lartë të vetë Partisë Demokratike të Kosovës.