Merkel kërkon zhbërjen e strukturave paralele në veriun e Kosovës

Nemačka kancelarka Angela Merkel i premijer Kosova Hašim Tači na konferenciji za novinare u Prištini

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot në Prishtinë se është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës, ndërsa i bëri thirrje Beogradit që të përmbushë kërkesat e shtruara që më parë nga ana e saj por edhe Prishtinës që të ndihmojë zgjidhjen e problemeve. Zonja Merkel i bëri këto komente në aeroportin e Prishtinës ku u prit nga kryeministri i vendit Hashim Thaçi. Ajo tha se tashmë janë të qarta qëndrimet e saj kundruall situatës në veriun e Kosovës.

Në bisedat tona të drejtpërdrejta me Serbinë e kemi bërë të qartë se çfarë duam ne. Pra, duhet të mundësohet tregtia e lirë, gjë që aktualisht nuk mund të bëhet për shkak të barrikadave, të zbatohet marrëveshja për kontrollin e përbashkët të kufirit dhe hap pas hapi duhet të ndodhë zhbërja e strukturave paralele”, tha zonja Merkel duke nënvizuar ndërkaq se sot është diskutuar për atë se çfarë duhet të bëjë Kosova e cila sipas saj duhet të mënjanojë emocionet për të gjetur një zgjidhje paqësore. Kancelarja Merkel tha se ka ende punë për të bërë në ndërtimin e një shteti ligjor në Kosovë, sikundër edhe për vendosjen e marrëdhënieve më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me situatën në veri kam biseduar edhe me presidentin serb Boris Tadic dhe i kam kërkuar që të gjenden forma të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Në këtë kuadër edhe palën e Kosovës e kam lutur që të angazhohet në mënyrë që mbetemi në kontakt të vazhdueshëm me Serbinë dhe presidentin Tadic. Ne dëshirojmë që me ushtarët tanë në kuadër të KFOR-it si dhe me përfaqësuesit tonë në misionet civile të angazhohemi në mënyrë që Kosova të jetë më e sigurt. Angazhimi i ushtarëve gjerman në Kosovë nuk është i lehtë”, tha Kancelarja Angela Merkel, e cila gjatë ditës vizitoi edhe pjesëtarët gjerman të KFOR-it një numër i të cilëve u plagosën më 28 nëntor nga protestuesit serbë në veriun e Kosovës të cilët po mbajnë të bllokuara rrugët ne atë zonë në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë pjesë.

Incidentet e dhunshme ishin vendimtare për shtyrjen e vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa kancelarja Merkel e akuzoi Serbinë se ka krijuar një mjedis për dhunë në veriun e Kosovës. Ajo në fillim të dhjetorit tërhoqi vërejtjen se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian mund të realizohet vetëm nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Kjo ka bërë që vizita e kancelares gjermane të vlerësohet shume e rëndësishme nga autoritetet në Kosovë. Kryeministri i vendit Hahsim Thaçi tha sot se Kosova është e përkushtuar për përmbylljen e kapitullit të historisë së konflikteve dhe të hapë kapitullin e bashkëpunimit. Ai tha se historia nuk mund të mbajë peng të ardhmen.

Kosova do të jetë e përkushtuar në dialogun me të gjithë fqinjët. Ne kemi ndërtuar raporte të shkëlqyera me Maqedoninë, Shqipërinë, malin e zi dhe me të gjitha vendet e rajonit. Andaj duam të kemi bashkëpunim të mirë midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Dialogu nuk është vetëm njëri nga opsionet por është opsioni i vetëm-komunikimi dhe zgjidhja e vetme për çështjet që duhet të zgjidhen në raportet ndërshtetërore Kosovë- Serbi”, tha kryeministri Thaci.

Kancelarja Merkel, rikonfirmoi mbështetjen për pavarësinë e Kosovës si dhe vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si vende që synojnë afrimin me strukturat euroatlantike. Kancelarja Merkel si një prej udhëheqësve më të fuqishëm të Bashkimit Evropian erdhi në Kosovë me detyra për të dyja palët. Ajo bëri thirrje që Kosova të bashkëpunojë ngushtë me EULEX-in dhe të angazhohet në luftë kundër dukurive negative siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Beogradit ndërkaq, i ka bërë të qartë se pa përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, nuk mund të presë statusin e kandidatit. Vëzhguesit thonë se gjykuar nga fakti se Kosova pret që në pjesën e dytë të janarit të fillojë dialogun për liberalizimin e vizave do ta ketë të pashmangshme që të jap dëshmi të përkushtimit për përmbushjen e detyrave që dalin nga ky proces, ndërsa Serbia duhet të dëshmojë përpjekjet për shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës meqë muaji shkurt është periudhe e rivlerësimit të qasjes së Beogradit. Ajo që mbetet e paqartë është se si do të pasqyrohet tërë kjo në terren, përkatësisht në veriun e Kosovës ku ende protestuesit serbë po mbajnë të bllokuara rrugët në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë.