Plagosen dy pjesëtarë të KFOR-it në veriun e Kosovës

Plagosen dy pjesëtarë të KFOR-it në veriun e Kosovës

Dy pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në veriun e Kosovës, gjatë një përleshjeje me protestuesit serbë.

Zyrtarët e NATO-s thanë se kanë përdorur plumbat e gomës, gazin lotsjellës dhe topat e ujit për të shpërndarë protestuesit serbë që po kundërshtonin një operacion të ndërmarrë sot në mëngjes për largimin e një barrikade në afërsi të Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe në veri. Paqeruajtësit përdorën makineri të rënda për të larguar kamionët dhe autobusët e përdorur nga serbët për të bllokuar rrugën që çon në njërin nga vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një zëdhënës i KFOR-it tha se gjatë operacionet një ushtar është qëlluar me armë zjarri në krah ndërsa një tjetër në këmbë.

Përfaqësuesit e serbëve në veri thanë se dhjetëra protestues kanë kërkuar ndihmën e mjekut për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar gjatë përplasjeve të sotme, po asnjëri nuk është në rrezik. Ata akuzuan KFOR-in për si thuhet veprime të njëanshme. Por, zyrtarë të KFOR-it thanë se operacioni për mënjanimin e barrikadës është në kuadër të mandatit të tyre për vendosjen e lirisë së lëvizjes.

Tash e katër muaj, serbët kanë bllokuar rrugët kryesore në veriun e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Javën e kaluar, 21 pjesëtarë të KFOR-it pësuan plagë gjatë një operacioni për mënjanimin e një barrikade.