Në komunën e Istogut në Kosovën perëndimore sot po zhvillohet raundi i dytë i votimeve për kryetarin e kësaj komune. Votimet e sotme janë të jashtëzakonshme, meqë kryetari i zgjedhur në votimet e nëntorit të vitit të kaluar, Fadil Ferati, vdiq në muajin janar të këtij viti.
Në zgjedhjet e sotme përballen kandidatët e dy parive më të mëdha politike në Kosovë, Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës, të cilat drejtojnë së bashku qeverinë e vendit. Votimet, sipas autoriteteve, po zhvillohen pa ndonjë problem. Cikli i zgjedhjeve për pushtetin lokal, të parat pas pavarësisë së Kosovë nuk mbyllet me zgjedhjet e sotme në Istog.
Në qershor autoritetet planifikojnë të mbajnë zgjedhje ne komunën e Parteshit, një komunë e re me shumicë serbe në pjesën lindore të Kosovës, ndërsa deri në fund të vitit, apo vitin e ardhshëm ata shpresojnë të organizojnë zgjedhje për pushtetin lokal edhe ne pjesën veriore te Mitrovicës dhe tri komuna të tjera veriore me shumicë serbe, ku zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit të kaluar u bojkotuan nga pjesëtarët e komunitetit serb.