Në komunën e Istogut në Kosovën perëndimore sot po zhvillohen votimet për kryetarin e kësaj komune. Votimet e sotme janë të jashtëzakonshme, meqë kryetari i zgjedhur në votimet e nëntorit të vitit të kaluar, Fadil Ferati, ndërroi jetë në muajin janar të këtij viti.
Në këto zgjedhje po konkurrojnë përfaqësuesit e pesë partive kryesore politike në Kosovë. Votimet sipas autoriteteve po zhvillohen pa ndonjë problem, ndonëse në një vendvotim janë arrestuar tetë persona për shkak të një incidenti që sipas autoriteteve nuk do të ndikojë në procesin e votimeve. Cikli i zgjedhjeve për pushtetin lokal, të parat pas pavarësisë së Kosovë nuk mbyllet me zgjedhjet e sotme në Istog.
Në qershor autoritetet planifikojnë të mbajnë zgjedhje ne komunën e Parteshit, një komunë e re me shumicë serbe në pjesën lindore të Kosovës, ndërsa deri në fund të vitit, apo vitin e ardhshëm ata shpresojnë të organizojnë zgjedhje për pushtetin lokal edhe ne pjesën veriore te Mitrovicës dhe tri komuna të tjera veriore me shumicë serbe, ku zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit të kaluar u bojkotuan nga pjesëtarët e komunitetit serb.