Kosovë: Protestë kundër ndalimit të mbajtjes së shamisë në shkolla

Kosovë: Protestë kundër ndalimit të mbajtjes së shamisë në shkolla

Disa qindra veta morën pjesë në një protestë në Prishtinë me kërkesën që të mos pengohet bartja e shamive dhe mbulesave islame nëpër shkollat e Kosovës. Protestuesit e cilësuan të padrejtë udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me të cilin ndalohet bartja e uniformave fetare në institucionet arsimore. Ministria e arsimit ka vlerësuar se vendimi është në pajtim më Kushtetutën e vendit e cila e përcakton Kosovën si shtet laik dhe të paanshëm në çështje të besimeve fetare.

Oratorët e protestës thanë se vendimet e tilla janë të jashtëligjshme dhe në kundërshtim me Konventën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Nga ky moment u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që ta kenë parasysh dhe ta kuptojnë drejt laicizmin, ngase laicizmi nuk i jep askujt të drejtë askujt për të përjashtuar nga shkolla nxënësit. Ju bëjmë thirrje që ta interpretojnë dhe ta kuptojnë drejt laicizmin, ashtu qysh e kuptojnë dhe interpretojnë vendet e Unionit Evropian, në të cilat vende në shkollat publike të tyre, lirshëm e vijojnë mësimin motrat myslimane me shamia”, tha kryetari i Këshillit Organizativ të Protestës, Bujar Gjikokaj.

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava tha një ditë më parë se Bashkësia Islame e Kosovës nuk qëndron prapa këtyre protestave. Ai tha se të gjitha problemet do të zgjidhen nëpërmjet institucioneve të Kosovës. Ai tha se “zëri që duhet dëgjuar është ai i Bashkësisë Islame, e cila dëshiron dhe kërkon që vërtetë ne të plotësojmë standardet, të cilat janë veç në Evropë dhe që kanë të bëjnë edhe me fenë. Qeveria është gati që të punojë bazuar në këto standarde. Ju e dini të gjithë se edhe për çështjen e mbulesës ne kemi bërë kërkesën tonë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet Avokatit të Popullit, ngase neve nuk na lejon Kushtetuta e vendit që të bëjmë direkt këtë kërkesë dhe ne presim përgjigje nga institucioni më i lartë, pra nga Gjykata Kushtetuese. Besoj se në një interval kohor shumë të shkurtër, do të jetë përgjigja”, tha ai.

Myftiu Tërnava u ka bërë thirrje qytetarëve që siç thekson ai të mos bien pre e disa shoqatave joqeveritare, të cilat kanë marrë edhe rolin që nuk u takon.

Protesta e sotme ishte organizuar nga një grup organizatash joqeveritare, të cilat ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla e cilësojnë shkelje të drejtave të njeriut. Protestuesit thanë se vendimi i tillë dëmton tolerancën ndërfetare të shqiptarëve që ekziston për shekuj me radhë. Përfaqësuesit e tyre i dorëzuan zyrës së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi kërkesat e tyre duke shpallur një afat prej 30 ditësh për plotësimin e tyre.

Protesta e cila kaloi e qetë, nuk është komentuar nga autoritetet e vendit.