Ende jashtë kontrollit gjendja në centralin bërthamor të Fukushimës

  • Zëri Amerikës

Ende jashtë kontrollit gjendja në centralin bërthamor të Fukushimës

Zyrtarët thanë sot se shpresojnë të kthejnë elektricitetin në central, gjë që zgjuar shpresat se mund të vihen në përdorim pompa uji më efikase për ftohjen e reaktorëve bërthamorë.

Por nivelet e larta të radioaktivitetit përreth centralit që ndodhet 240 kilometra në veri të Tokios, e bëjnë të pamundur për punonjësit të qëndrojnë në central më shumë se pak minuta pa pushim. Matja fillestare e radioaktivitetit tregon se helikopteri i parë nuk ka pasur shumë efekt.

“Po përqëndrohemi në gjendjen tek uji ftohës i reaktorit numër 4, por ende nuk kemi arritur në një konkluzion konkret mbi gjendjen,” njofton Sekretari i Kabinetit Japonez, Jukio Edano.

Shtetet e Bashkuara dhe qeveri të tjera kanë këshilluar shtetasit e tyre të qëndrojnë të paktën 80 kilometra larg centralit, një rreze shumë më e madhe se zona e caktuar nga japonezët. Shumë qeveri kanë evakuuar personelin e ambasadave nga Tokio.

“Është shqetësuese që kriteret japoneze dhe amerikane janë të ndryshme dhe kam disi dyshime për standardet tona,” thotë një banor i Tokios.

Presidenti amerikan Barak Obama i telefonoi kryeministrit Naoto Kan sot në mëngjes për t’i shprehur admirimin për kurajon e popullit japonez dhe për të përsëritur ofertën për ndihmë humanitare dhe në përgjigje të krizës bërthamore.

Thirrja erdhi disa orë pasi zyrtarët bërthamorë në Uashington thonë se besojnë se rezervuari ftohës në reaktorin 4 në Fukushima është boshatisur, duke i lënë shufrat bërthamore të ekspozuara ndaj ajrit. Nëse shufrat nxehen më shumë se duhet, mund të djegin ose të shkrijnë koracën rrethuese dhe të çlirojnë nivele të larta radioaktiviteti në ajër.