Itali: Vazhdojnë protestat ndaj problemit të mbeturinave në zonën e Napolit

  • Zëri Amerikës

Itali: Vazhdojnë protestat ndaj problemit të mbeturinave në zonën e Napolit

Autoritetet italiane kanë shtyrë hapjen e një objekti të ri për grumbullimin e mbeturinave, pas protestave disa javore nga banorët e Napolit.

Demonstruesit në qytetin e vogël Terzinjo u kanë vënë zjarrin makinave, kanë djegur flamurin italian dhe kanë qëlluar me gurë policinë në shenjë proteste ndaj erës së rëndë që del nga një objekt i grumbullimit të plehrave. Demonstruesit protestojnë edhe kundër planeve për të hapur një tjetër objekt në parkun kombëtar në rrëzë të malit të Vezuvit.

Shefi i mbrojtjes civile për Italinë, Guido Bertolaso është dërguar në zonë nga kryeministri italian Silvio Berluskoni për t’iu përgjigjur situatës që është shndërruar në krizë për qeverinë. Zoti Berluskoni ka premtuar ta vërë situatën nën kontroll brenda 10 ditësh.

Ndërkaq, grumbulli i plehrave vazhdon të zmadhohet në rrugët e Napolit. Komisioni Evropian ka paralajmëruar se Italia mund të ndeshet me sanksione nëse nuk pastrohen 2400 tonelatat e mbeturinave në qytet.