Irak: Sulm vdekjeprurës në komandën policore të Mosulit

  • Zëri Amerikës

Irak: Sulm vdekjeprurës në komandën policore të Mosulit

Zyrtarët irakianë thonë se një komandant i një batalioni policor dhe të paktën 3 veta të tjerë janë vrarë në një sulm vetëvrasës të realizuar nga tre persona me jelekë me eksplozivë. Policia thotë se dy nga autorët e sulmeve arritën të futen në komandën e policisë në Mosul, në veri të vendit sot, ku aktivizuan lëndën plasëse pranë Kolonel Lejtnantit Shamel Ahmed Aughla.


Zyrtarët e sigurisë qëlluan për vdekje personin e tretë, kur ai po i afrohej kompleksit. Po sipas zyrtarëve, tre të vrarët e tjerë nga sulmi ishin policë. Zyrtarë lokkalë thonë se komandanti i policisë ishte organizator i operacioneve të fundit kundër militantëve të al-Kaidës. Ata thonë gjithashtu se ai u kishte shpëtuar disa tentativave për atentat.

Incidenti ndodh 2 ditë pasi sulme vetëvrasëse me lëndë plasëse pranë një kompleksi të qeverisë lokale në Ramadi lanë të vrarë 17 vetë.