Teherani fillon furnizimin me karburant të uzinës së parë të energjisë bërthamore

  • Zëri Amerikës

Teherani fillon furnizimin me karburant të uzinës së parë të energjisë bërthamore

Teherani filloi ngarkimin me karburant të uzinës së parë të energjisë bërthamore. Televizioni shtetëror e bëri njoftimin sot në mëngjes dhe më vonë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ramin Mehmanparast, u tha gazetarëve se veprimtaritë bërthamore për qëllime paqësore të Iranit vazhdojnë sipas planit. Zëdhënësi Mehmanparast paralajmëroi se presioni politik dhe sanksione të tjera nuk do ta ndalojnë Iranin që të vazhdojë përpjekjet për teknologji bërthamore.

Irani filloi mbushjen me karburant të uzinës së parë bërthamore sot në Busher. Inxhinierët iranianë dhe rusë e filluan mbushjen që në gusht, por një rrjedhje e paparashikuar bëri që proces në reaktor të shtyhej.

“Pasi të vendosen 160 shufra karburanti në qendër të reaktorit, ai do të jetë në gjendje të fillojë prodhimin e energjisë,”- tha zëdhënësi Mehmanparast.

Shtetet e Bashkuara donin të ndalonin punën në uzinën bërthamore të Busherit nga frika e ambicieve bërthamore të Iranit, por Uashingtoni u tërhoqën pasi Rusia shpjegoi se si do të bëhej furnizimi i uzinës me karburant dhe se ku do të përfundonin shufrat e përdorura. Megjithatë, ka ende shqetësime mbi programin iranian të pasurimit të uraniumit për karburant bërthamor, meqë pasurimi në një gradë më të lartë mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Ramin Meman-parast tha se vendi i tij do të vazhdojë planet e veta pavarësisht nga presioni politik.

“Presioni politik që po na bëhet përmes sanksioneve apo mënyrave të tjera nuk mund ta ndalojë përparimin e vendit tonë. Askush nuk mund të na i heqë ne të drejtat legjitime për të përfituar nga shkenca bërthamore për qëllime paqësore,”-tha zëdhënësi Mehmanparast.

Irani thotë se uzina bërthamore prej një mijë megavatësh, e ndërtuar me ndihmën e Rusisë, do të fillojë prodhimin e energjisë elektrike në fillim të 2011-ës.