Iran: Vritet një shkencëtar bërthamor nga një shpërthim me bombë

  • Zëri Amerikës

Iran: Vritet një shkencëtar bërthamor nga një shpërthim me bombë

Zyrtarët iranianë po fajësojnë agjencitë izraelite dhe amerikane të zbulimit për dy sulmet me bomba sot në Teheran që vranë një shkencëtar të njohur bërthamor dhe plagosën një tjetër.

Media iraniane thotë se autorët e sulmit, me motoçikleta, i kishin vënë bombat tek makinat e shkencëtarëve sot në mëngjes, ndërsa ata po shkonin në punë në Universitetin Shahid Beheshti në Teheranin verior.

Në njërin nga shpërthimet u vra shkencëtari bërthamor iranian Maxhid Shahriari dhe u plagos gruaja e tij, që ndodhej me të në makinë. Në shpërthimin tjetër u plagos fizikani i fushës bërthamore Fereidun Abasi dhe gruaja e tij.

Media dhe zyrtarët iranianë fajësuan CIA-n dhe Mosadin. Vitet e fundit të paktën dy shkencëtarë të tjerë iranianë të fizikës bërthamore janë vrarë. Vendet perëndimore e akuzojnë Iranin se përpiqet të sigurojë teknologji bërthamore për ndërtimin e armrve, një akuzë që Teherani e mohon.

Ndërkohë, presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad tha se disa centrifuga për pasurimin e uraniumit janë dëmtuar gjatë një sulmi kibernetik.