BE heton ligjshmërinë e taksave që ka vënë Hungaria mbi investitorët e huaj

  • Zëri Amerikës

BE heton ligjshmërinë e taksave që ka vënë Hungaria mbi investitorët e huaj

Bashkimi Evropian po heton ligjshmërinë e taksave të veçanta që anëtarja e BE-së Hungaria ka vendosur mbi disa investitorë të huaj për të arritur objektivat e pakësimit të defiçitit buxhetor.

Hetimi vjen ndërsa Hungaria mori presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

Kritikët e taksave, përfshirë 13 firma të huaja, thonë se qeveria e kryeministrit Viktor Orban po përdor sektorë të caktuar dhe kompani të huaja për të balancuar buxhetin e shtetit.

Zëdhënësi i BE-së Oliver Bailly tha sot se çështja po hetohet.

Zoti Bailly shtoi se Komisioni Evropian i kishte kërkuar qeverisë hungareze tetorin e kaluar të shpjegonte taksat e vendosura në sektorët e telekomunikacionit, shitjeve me pakicë dhe të energjisë.

Hungaria, që mori presidencën të shtunën, është kritikuar tashmë për ligjin e saj të ri të medias që lejon qeverinë të vendosë nëse grupe mediatike kanë thyer rregullat për raportimin e “balancuar” dhe “moral”.