Hong Kongu përgatitet për flotën e re të tramvajeve

  • Zëri Amerikës

Hong Kongu përgatitet për flotën e re të tramvajeve

Tramvajet prej druri të Hong Kongut, që kanë përshkuar rrugët e këtij qyteti aziatik prej më shumë se 100 vjetësh, do t’i përkasin së shpejti së kaluarës. Tramvaje të reja me skelet alumini do të zëvendësojnë së shpejti vagonat e drunjtë. Por ky projekt modernizimi, në një qytet të njohur për prirje moderne, ka shumë kritikë:

Tramvajet e Hong Kongut janë një mjet i pëlqyer transporti urban si për banorët ashtu edhe për turistët qoftë për stilin e vjetër, ashtu edhe për biletat e lira dhe lëvizjen e ngadaltë nëpër qytet, që të ofron mundësinë të shijosh pamjen përreth.

Sipas Kompanisë Tramway, Hong Kongu ka flotën më të madhe të tramvajeve me dy kate në botë dhe çdo ditë përballon lëvizjen e 230 mijë pasagjerëve. Tramvajet përshkojnë itinerarin lindje-perëndim në ishull dhe për një të rritur një biletë kushton 26 centë, pavarësisht nga distanca.

Banorët lokalë u ka vënë nofkën “Ding-Dings” si rezultat i ziles që tingëllon për të lajmëruar mbërritjen e tyre në stacion.

Por ky vit shënon fillimin e një projekti për zëvendësimin gradual të flotës me tramvaje të reja, moderne. Me këtë projekt, tramvaje si ky tren i prodhimit të viteve 1950, do të zhduken nga rrugët e Hong Kongut.

Këta pjesëtarë të pagabueshëm të Hong Kongut gjatë shekullit të kaluar, kanë tërhequr prej vitesh entuziastë trenash.

“Ky tramvaj i vjetër ka vlerat e tij historike. Për shembull, kjo karrike dhe ky skelet prej druri i dritares së tramvajit na rrëfejnë historinë. Tramvajet e reja janë evolucion në vetvete, pasi përfaqësojnë një stil të kohës”, thote Erik Lee, banor i Hong Kongut, i cili pohon se tramvajet e reja ofrojnë shumë karakteristika pozitive si për pasagjrët, ashtu edhe për kompaninë. Karriket e vjetra prej druri do të zëvendësohen nga karrike alumini. Llambat e mëparshme do t’u lënë vendin llambave fluoreshente që harxhojnë shumë më pak energji dhe dyert që mbylleshin papritur do të zëvendësohen nga dyer automatike.

Stiven Chan, menaxher i ekipit inxhinierik të kompanisë Tramways, thotë se modelet e reja ndihmojnë në uljen e kostos së operimit:

“Duam të ulim koston e mirëmbajtjes së tramvajeve. Po ashtu, projektimi i sediljeve në tramvaje njëri pas tjetrit lejon lëvizjen më të lirshme të pasagjerëve në bord krahasuar me dizenjon e mëparshme, ku sediljet ishin përballë njëra-tjetrës”.

Kompania parashikon një kosto totale prej 10 milionë dollarësh për modernizimin e rrjetit të tramvajeve. Por kjo shumë do të mbulohet në masë të madhe nga ulja e kostos së mirëmbajtjes së tramvajeve të reja. Alumini, si një material shumë më rezistent se druri, eliminon nevojën për riparim nga kalbja apo insektet parazite – një ndër problemet e shumta të vagonave prej druri. Tani projekti pret dritën e gjelbër të qeverisë për t’u vënë në jetë. Së shpejti një pjesë e së kaluarës së Hong Kongut, e bashkë me të edhe biletat e lira, do t’i përkasin historisë.