Të paktën 12 persona u vranë dhe dhjetra të tjerë u plagosën të dielën në Gjermaninë lindore, kur një autobus me turistë polakë u përmbys në një autostradë në periferi të Berlinit. Autoritetet thanë se autobusi, me të paktën 46 pasagjerë, po kthehej në Poloni pas një vizite në Spanjë.
Policia në Gjermani thotë se të dhënat e para tregojnë se autobusi u përplas me këmbët e një ure, dhe rrëshqiti në rrugën e lagur nga shiu, pasi u përpoq të shmangte një makinë që po shkonte në drejtimin e aeroportit të Berlinit. Mes të plagosurve ishte edhe shoferi i makinës.
Sipas njoftimeve, rreth 250 punonjës shpëtimi dhe disa helikopterë u dërguan në vendin e ngjarjes. Kryeministri polak Donad Tusk dhe Ministri i Shëndetësisë shkuan në vendin ku ndodhi aksidenti.