Zyrtarët e Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, thanë se janë në pritje të konfirmimit të një aktakuze të ngritur tri javë më parë kundër pesë personave për trafikim të organeve njerëzore, krim të organizuar, ushtrim të paligjshëm të veprimtarive mjekësore dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në një njoftim të këtij misioni thuhet se në mesin e të akuzuarve ka mjekë dhe një person, që më parë ka punuar në nivel të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë. Në një deklaratë për opinion të EULEX-it, thuhet se aktakuza është ngritur edhe kundër dy personave të tjerë, njëri shtetas izraelit dhe një shtetas turk, të cilët po kërkohen nëpërmjet policisë ndërkombëtare.
Agjencia e lajmeve Associated Press, e cila thotë se ka siguruar një kopje të aktakuzës, shkruan se grupi i shtetasve të Kosovës të përfshirë në akuzë ka qenë i përfshirë në rekrutimin e 20 shtetasve të huaj nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë.
Akuza për trafikimin e organeve, ka të bëjë me zhvillimet në një klinikë private në Prishtinë në vitin 2008. Një transplantim i paligjshëm i një veshke që ishte kryer në një klinikë private në Prishtinë në vitin 2008 kishte çuar në arrestimin e tre udhëheqësve të asaj klinike si dhe në pezullimin nga puna të një zyrtari të Ministrinë e Shëndetësisë.
Hetimet e policisë atëherë kishin zbuluar se një shtetas turk kishte dhuruar një veshkë, e cila ishte pranuar nga një shtetas izraelit. Më pas të arrestuarit ishin liruar, ndërsa hetimet kishin vazhduar nga EULEX-i.
Ligjet në Kosovë ndalojnë çdo veprimtari të transplantimit të organeve nëpër klinikat private.