Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, u bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë dje të hapin shpejt bisedimet e pajtimit me Kosovën. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tha se qeveria e tij është e hapur për bisedime të gjithanëshme me autoritetet e Prishtinës, por nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Të dy palët kanë qendrime krejtësisht të kundërta për Kosovën, ku sekretarja Klinton shkon sot për vizitë. Por takimi Klinton- Tadiç ishte i përzemërt dhe zonja Klinton vlerësoi qendrimin përgjithësisht të moderuar të qeverisë së Beogradit, duke e cilësuar Serbinë një kandidate të shkëlqyer për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Sekretarja Klinton tha se të dy qeveritë nuk janë dakord për një sërë çështjesh dhe Kosova është një prej më kryesoreve mes tyre. Ajo tha se Beogradi duhet të respektoojë thirrjen e kohëve të fundit të Kombeve të Bashkaua për dialog me autoritetet e Kosovës.
"Ne besojmë se rezolutat e 9 shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shërbejnë si një platformë e mirë për një dialog të mirëfilltë dhe largpamës mes Beogradit dhe Prishtinës. Nga dialogu mund të përfitojnë dhe do të përfitojnë si populli i Kosovës, ashtu edhe ai i Serbisë, duke trajtuar çështjet e përditëshme praktike dhe marrëdhëniet afatgjata mes dy vendeve”.
Zoti Tadiç tha se qeveria e tij nuk do ta njohë Kosovën, por do të respektojë të drejtat e shqiptarëve në atë rajon dhe është gati të hyjë shpejt në bisedime për të ulut tensionet rajonale. Zoti Tadiç foli me përkthyes.
"Dialogu duhet të fillojë shpejt. Ne duam të diskutojmë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me jetën e përditëshme të popullit të Kosovës, në mënyrë paqësore, demokratike, duke përdorur mjetet politike dhe ligjore për të mbrojtur integritetin e vendit tonë. E kam thënë edhe më parë se çdo veprim i njëanshëm i institucioneve shqiptare në Kosovë e vë Serbinë në pozitë të vështirë, Serbinë dhe qeverinë e Serbisë. Ai nuk i shërben dialogut”.
Sekretarja Klinton vlerëzoi Presidentin e Serbisë për angazhimin e qeverisë të tij për të nxjerrë para drejtësisë Ratko Mlladiçin dhe Goran Hadziçin, figurat më të njohur anë ballkan për krime lufte që vazhdojnë të enden të lirë dhe që kërkohen nga gjykata ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës. Ai tha se ky zotim është pjesë e vendosmërisë së qeverisë së tij për reforma, me qëllim që “të mbyllet kapitulli i errët i viteve 90-të”. Përsëri zoti Tadiç nëpërmjet përkthyesit.
"Serbia nuk po e bën këtë vetëm për hir të gjykatës ndërkombëtare ose të komunitetit ndërkombëtar. Ne po e bëjmë këtë për të mirën tonë, për qytetarët tonë dhe për pajtimin në rajon. Do ta përsëris edhe njëherë, edhe sikur tribunali i Hagës të shpërndahej nesër, ne do të vazhdonim ndjekjen e këtyre dy personave që janë në arrati”.
Zonja Klinton e filloi ditën në Bosnje-Hercegovinën fqinje, ku ajo u bëri thirrje të gjitha palëve në këtë vend të ndarë në grupe etnike të përqafojnë reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Sekretarja Klinton u takua në Sarajevë me presidencën trianëtarëshe të Bosnjes dhe u takua shkurtimisht në një ambasadë me Milorad Dodik, presidenti i zgjedhur rishtazi i Republikës së Serbëve të Bosnjes, i cili ka hedhur poshtë thirrjet e ndërkombëtarëve për përmirësimin e marrëdhënieve mes komuniteteve në Bosnje.