Shqipëri: Replika në distancë mes PD dhe PS për propozimin e opozitës

  • Armand Mero
    Zëri Amerikës

Shqipëri: Replika në distancë mes PD dhe PS për propozimin e opozitës

Në Shqipëri shumica dhe opozita duket se janë përfshirë në një lojë fjalësh për zgjidhjen e ngërcit lidhur me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Kryetari socialist Edi Rama përsëriti se opozita nuk kërkon fletët e votimit në këtë hetim. Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha kërkoi që propozimet e tyre socialistët t’i dorëzojnë në parlament. Por zoti Rama tha se oferta është në dokumentin që ai vetë i dorëzoi kryeministrit pak javë më parë, ndërsa zoti Berisha e cilësoi këtë si një deklarim jo serioz pasi në atë dokument, tha zoti Berisha, flitet për hetim të pakufizuar:

Javën e shkuar kryetari socialist Edi Rama u shpreh se opozitës nuk i interesonin më fletet e votimit për hetimin e zgjedhjeve të shkuara. Këtë qëndrim ai e përsëriti edhe sot ndërsa ftonte kryeministrin Sali Berisha t’i përgjigjej sa më shpejt ofertës, për të nxjerrë vendin nga kriza: “Fletët e votimit nuk janë objekt i këtij hetimi dhe nuk janë pjesë e interesit tonë për transparencën të cilën do ta bëjmë duke hetuar kutitë e materialeve zgjedhore”.

Por kryeministri Sali Berisha, ashtu sikundër dhe dy ditë më parë kërkoi që ta shohë këtë ofertë: “Unë e ftoj zotin Rama që propozimin e tij ta dorëzoj në parlament. E garantoj se cdo propozim i opozitës do të shqyrtohet me seriozitetin më të madh”.

Pozicionimi publik për fletët e votimit u pa si një qëndrim i ri aq sa u përshëndet edhe nga komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle. Por zoti Rama tha sot se ky qëndrim është i qartë dhe në ofertën që ju paraqit pak kohë më parë shumicës: “Ai duhet t’i japë përgjigje ofertës së opozitës të cilën javë më parë ja kam lënë unë vetë në tavolinë”.

Kryeministri Berisha e cilësoi si jo serioze këtë deklaratë të kundërshtarit të tij politik: “Kjo për mua është një lloj mungese e plotë serioziteti pasi në atë ofertë shkruan për hetim të pakufizuar”.

Duket qartë se kryeministri kërkon jo vetëm një angazhim publik për cështjen që lidhet me fletët e votimit. Por per zotin Rama: “Kryeministri nuk mund të vërë kushte mbi atë që ne shkruajmë”.

Sipas zotit Rama pa hetimin për zgjedhjet e shkuara nuk mund të realizohet as reforma madje sipas tij nuk mund të mbahen as zgjedhjet e ardhshme: “Pa u hetuar kutitë e materialeve zgjedhore e duke përjashtuar tanime fletët e votimit nuk ka reformë zgjedhore dhe nuk ka as zgjedhje të mundshme në Shqipëri”.

Një deklaratë që duket se ka tingëlluar kërcënuese për kryeministrin i cili nuk i ka kursyer tonet e ashpra në përgjigjen e tij: “Mafia e votës nuk do mundet kurrë edhe sikur cdo gjë të bëjë zoti Rama, të mobilizojë dhjetëfishin e fondeve që mobilizoi për të shkuarat nuk do mundet kurrë të nëpërkëmbë votën e këtyre qytetarëve”.

Duket se palët tanimë po humbasin kohë duke u kacavjerrur pas fjalëve të njëri tjetrit e duke humbur energji në një lojë gati kryenecësie në vend që të ulen për t’i zgjidhur në tavolinë problemet që ngjajnë të jenë të tilla vetëm në formë.