Akuzat e Martit mund të ndikojnë në marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin

  • Henry Ridgwell

Akuzat e Martit mund të ndikojnë në marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin

Akuzat për krim të organizuar dhe trafikim organesh ndaj kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të bëra nga parlamentari Dik Marti në raportin e tij, rrezikojnë të pengojnë përpjekjet e Prishtinës për të siguruar njohjen e plotë të pavarësisë së saj dhe mund të kenë ndikime të mëdha në marrëdhëniet e shtetit të ri me Perëndimin.

Raporti pretendon se në baza të tilla si kjo e ashtuquajtur “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri, pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vrarë deri në 500 të burgosur dhe u kanë hequr organet për t’i shitur në tregun e zi ndërkombëtar.

Autori i tij, raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti, thotë se krimet u mbuluan pas luftës në Kosovë.

"Kjo dihej nga shumë njerëz të cilët privatisht e pohonin se e dinin por për arsye politike kishin vendosur të mos flisnin," tha zoti Marti.

Raporti madje cilësonte Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, si kreun e një bande kriminale që përfitonte nga tregtia e organeve dhe që merrej me vrasje dhe trafikim droge.

Zoti Thaçi, partia e të cilit fitoi në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit, thotë se këto akuza janë përpjekje për të hedhur baltë mbi udhëheqësit e vendit.

"Raporti skandaloz i parlamentarit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, është një dokument plot me fyerje dhe gënjeshtra, që riciklon një propagandë 15-vjeçare," tha kryeministri i Kosovës.

Serbia e ka përshëndetur raportin e zotit Marti.

Forcat serbe u tërhoqën nga Kosova pas fushatës së bombardimit nga Natoja në vitin 1999. Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosovçën e kanë njohur 72 vende.

James Ker-Lindsay i Shkollës Ekonomike të Londrës, ka shkruar një libër mbi përpjekjet e Kosovës për të fituar pavarësinë. Ai thotë se akuzat mund ta pengojnë përparimin e bërë deri tani.

“Mendoj se kjo do t’ua bëjë shumë më të vështirë mbështetësve të pavarësisë së Kosovës për të siguruar më tepër njohje. Prandaj, ne kemi pikëpyetje edhe rreth dialogut politik me Beogradin. Qeveria serbe ka thënë se ende është e interesuar për të biseduar por nëse këto akuza nisin të hetohen dhe del diçka, atëhere do të ishte shumë e vështirë për qeverinë serbe të vazhdojë të bisedojë me zotin Thaçi.”

Në raport thuhet se bandat kriminale kanë vazhduar të heqin organe edhe pas luftës në këtë klinikë afër Prishtinës.

Aktualisht, shtatë persona janë në gjyq për heqje organesh nga njerëz që jetojnë në varfëri të skajshme. Prokurorët thonë se njerëzve të varfër nga Moldavia, Kazakistani, Rusia dhe Turqia u ishin ofruar deri në 20 mijë dollarë për organet e tyre, para të cilat nuk u paguan kurrë.

Kirurgu Lutfi Dervishi akuzohet si drejtuesi i këtij grupi. Raporti i Këshillit të Evropës e lidh atë me akuzat për rrëmbimet dhe vrasjet e civilëve serbë për t’u marrë organet. Ai i ka mohuar akuzat.

Prokurori i çështjes, Xhonathan Ratel, thotë se ekzistojnë arsye se përse Kosova me sa duket është një nyje për trafikim të paligjshëm organesh.

“Në vendet e pas konflikteve, klinika të tilla mund të ngrihen shpejt, zbatimi i ligjit shëndetësor është i dobët dhe disa njerëz përfitojnë nga kjo. Mundësitë për shfrytëzim personash me anë të trafikimit është shumë e madhe.”

Këshilli i Evropës do ta shtrojë për diskutim raportin muajin e ardhshëm dhe do të vendosë nëse do të nisë hetime penale lidhur me akuzat kundër Kryeministrit Thaçi.