Një studim i ri ka konstatuar se akullnajat në Groenlandë dhe Antarktidë po shkrihen me një ritëm më të shpejtë. Rezultatet tregojnë se shkrirja e shtresave të akullit po bëhet kontribuesi kryesor në rritjen e nivelit të detit më shumë se sa pritej.
Ky ishte një ndër studimet më të gjata të bëra deri tani në lidhje me akullnajat. Bazuar në dy dekada matjesh mujore përmes satelitit dhe duke studiuar modelet klimatike rajonale, rezultatet janë të qarta, thotë autori kryesor i këtij studimi Erik Rigno.
“Ajo që po vërejmë në Groenlandë dhe Antarktidë është humbja më e shpejtë e masës së akullnajave. Dhe këto shtresa jo vetëm që po shkrihen në oqean, por humbja e masës po rritet nga viti në vit.”
Autorët kanë vënë re se shkrirja e akullnajave që mbulojnë pjesë të mëdha toke po ndodh tre herë më shpejt se sa shkrirja e akullit në male. Zoti Rigno, ekspert i akullnajave në Universitetin e Kalifornisë dhe në një Laborator të Nasës, thotë se kjo nuk ishte e papritur.
“Tani ata po ecin me të njëjtin ritëm. Por nëse prirjet si për akullin në male ashtu edhe për akullnajat vazhdojnë, kjo do të thotë se akullnajat do të bëhen kontribuesi kryesor në rritjen e nivelit të detit, meqenëse ato kanë më shumë akull.”
Të dhënat nga studimi parashikojnë se deri në vitin 2050, niveli i detit do të rritet me 32 centimetra, 15 prej të cilave do të jenë nga shkrirja e akullnajave në Groenlandë dhe Antarktidë, në se ky proces vazhdon me ritmin e tanishëm. Zoti Rigno thotë se kjo është shumë më e lartë se sa ishte parashikuar nga Komisioni Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimin e Klimës.
“Kjo do të thotë se disa nga parashikimet që kanë bërë ata në raportin e tyre të fundit vihen në pyetje dhe se roli i akullnajave nuk është dytësor në studimin e rritjes së nivelit të detit në të ardhmen. Përkundrazi, ky është ndër faktorët kryesorë të rritjes së nivelit të detit dhe ky studim e konfirmon këtë.”
Zoti Rigno thotë se studimi vërteton se ngrohja globale është shqetësim i madh dhe i vërtetë, veçanërisht për njerëzit në zonat bregdetare, të cilëve u jep pak kohë për të reaguar ndaj rritjes së nivelit të detit. Ai thotë se ngrohja e oqeaneve mund të përshpejtojë edhe shkrirjen e akullit në pole.
“Nëse këto oqeane po ngrohen, ne duhet të kuptojmë se çfarë ndikimi do të kenë tek akullnajat dhe tek shkëputja dhe lundrimi i tyre në oqeane. Tani shohim se në vendet ku oqeanet po ngrohen, akulli shkrihet më shpejt dhe akullnajat shkëputen më shpejt.”
Zoti Rigno thotë se është e rëndësishme që të vazhdojë monitorimi i akullnajave dhe duke përdorur këtë informacion të kombinuar me të dhënat historike, të ndërtohen modele që mund të parashikojnë më mirë shkrirjen e akullnajave gjatë shekullit të ardhshëm.