Ylli amerikan i golfit, Tiger Woods u dërgua të martën me urgjencë në një spital të Los Anxhelosit pas dëmtimeve të shumta që pësoi kur makina e tij doli nga rruga dhe u përmbys.
Ekipet e shpëtimit e nxorrën atë jashtë makinës duke përdorur mjete metalprerëse.
Woods, 45 vjeç, ishte i vetëm në automjetin SUV kur bëri aksident rreth orës 7:12 të mëngjesit pranë komuniteteve periferike Rolling Hills Estates dhe Rancho Palos Verdes, thanë zyrtarët në Los Angeles në një deklaratë me shkrim.
"Tiger Woods pësoi aksident me makinë këtë mëngjes në Kaliforni ku mori dëmtime të shumta në këmbë. Ai aktualisht është në operacion…," tha agjenti i tij, Daniel Rapaport, në një deklaratë.
Woods u dërgua në Qendrën Mjekësore Harbour-UCLA me fraktura në të paktën njërën nga këmbët, sipas njoftimeve. Ai është në gjendje të rëndë, thanë zyrtarët.
Shkalla e plotë e lëndimeve ende nuk dihet, megjithëse autoritetet thanë se ato nuk konsiderohen me rrezik për jetën.
Autoritetet nuk e kanë zbuluar shkakun e aksidentit, por Los Angeles Times njoftoi se Woods po udhëtonte me një shpejtësi të madhe para se të humbte kontrollin e automjetit.
Makina e tij kaloi vijën ndarëse të rrugës dhe u rrokullis disa herë para se të ndalej rreth 30 metra larg rrugës, sipas njoftimeve.
Woods është nga Kalifornia Jugore dhe ka fituar 15 kampionate të rëndësishme golfi të turneut PGA.
I konsideruar si një nga më të mëdhenjtë në historinë e golfit, Woods kishte qenë gjatë fundjavës që shkoi mikpritës i turneut Genesis Invitational në Riviera Country Club.
Ai nuk mori pjesë në turne, për arsye të problemeve me shpinën, e cila i ishte nënshtruar kirurgjisë.