Presidenti Karzai dënon ekzekutimin e një gruaje

Presidenti afgan Hamid Karzai dënoi fuqishëm ekzekutimin publik të një gruaje nga ana e talebanëve.

Zoti Karzai e quajti këtë akt në krahinën veriore të Parwanit një "krim të tmerrshëm e të pafalshëm" dhe urdhëroi autoritetet të bëjnë gjithshka për të arrestuar dhe ndëshkuar personat përgjegjës.

Ndërkohë, kreu i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, gjenerali John Allen, e përshkroi pushkatimin e gruas të shfaqur në video si "një mizori të papërshkrueshme". Ai tha se egërsia e talebanëve ndaj civilëve të pafajshëm, sidomos grave, "duhet dënuar me gjithë ashpërsinë”.

Zyrtarët thonë se ekzekutimi publik në Parwan ndodhi muajin e fundit.

Gruaja u akuzua për marrëdhënie me dy talebanë. Në video, menjëherë pas ekzekutimit, nga meshkujt e fshatit u dëgjuan thirrjet "Rrofshin muxhahedinët afganë".